“Ndikimi i Hitlerit në historinë e njerëzimit është i dëmshëm”

0
332

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 39 me rradhë ka Adolf Hitler.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXIX- Adolf Hitler

(1889-1945)

Vetëm me ndjenjën e neverisë po e përfshijmë Hitlerin në këtë libër. Ndikimi i tij në historinë e njerëzimit është i dëmshëm, ndaj nuk kemi asnjë synim që ta ngremë lart. ”Merita” kryesore e tij është vdekja e rreth 35 milionë njerëzve.

Hitleri u lind në vitin 1889 në Braunau të Austrisë. Në vitet e rinisë u përpoq, por pa sukses të bëhej fotograf. Gjatë asaj periudhe u shndërrua në një nacionalist të zjarrtë gjerman. Në Luftën e Parë Botërore shërbeu në ushtrinë gjermane, ku u plagos dhe u dekorua me medalje trimërie. Humbja e Gjermanisë e mërziti shumë, aq sa edhe e tërboi. Në vitin 1919, në moshën 30-vjeçare u përfshi në partinë e vogël të djathtë të Mynihut që shpejt, pas kësaj, u quajt Partia Nacionalsocialiste e Punëtorëve Gjermanë (shkurt: Partia Naziste). Pas dy vjetësh u bë udhëheqësi i saj i paprekshëm (Fyhrer).

Nën udhëheqjen e Hitlerit kjo parti u forcua shpejt dhe në nëntorin e vitit 1923 u përpoq të përmbyste pushtetin. Kjo ngjarje njihet në histori si puçi i Mynihut. Pas dështimit të këtij puçi, Hitleri doli para gjyqit, dhe u dënua me burgim, por pas afro një viti u lirua. Në vitin 1928, Partia Naziste ishte ende e vogël. Me shpërthimin e krizës së madhe ekonomike në Amerikë, pakënaqësitë e përgjithshme të partive tradicionale politike u shtuan shumë. Ndaj këtij fakti, nazistët u forcuan. Në janarin e vitit 1903, Hitleri (44-vjeçar) u zgjodh kancelari i Gjermanisë. Duke shfrytëzuar aparatin shtetëror për të mposhtur çdo kundërshtar, Hitleri vendosi shumë shpejt diktaturën, e cila solli gërryerjen e të drejtave të njeriut, duke ngritur në detyrë kriminelët e akuzuar për kundërvajtje.Çdo gjë ndodhi shumë shpejt. Nazistët, kundërshtarët e tyre politikë shpesh nuk i kalonin në procese gjyqësore, por, i rrihnin ose i ekzekutonin menjëherë. Përballë kësaj, në vitet e paraluftës, Hitleri kishte patur mbështetjen e sinqertë të shumicës së gjermanëve, pasi kishte pakësuar shumë papunësinë dhe kishte ringjallur ekonominë. Pas kësaj, Hitleri e drejtoi Gjermanisë drejt pushtimeve të vendeve të tjera, gjë që solli Luftën e Dytë Botërore. Pushtimet e para territoriale praktikisht u realizuan pa luftë. Anglia dhe Franca, të zëna me problemet e tyre ekonomike, nuk u përzien kur Hitleri shkeli paktin e Versajës, duke formuar armatën gjermane, as edhe kur ushtritë e tij pushtuan rajonin e Rajnskut dhe ndërtuan fortifikime (mars i vitit 1936), as edhe kur aneksuan me forcë Austrinë (mars 1938). Ata heshtën edhe kur Hitleri aneksoi rajonin e Sudeteve (shtator 1938), rajon kufitar në Çekosllovaki, i fortifikuar mirë. Pakti ndërkombëtar, i njohur si Pakti i Mynihut, që anglezët dhe francezët e mendonin si “sjellësin e paqes”, ia lidhi me lehtësi duart Çekosllovakisë. Vetëm pas disa muajsh, Hitleri arriti dhe pushtoi edhe pjesën tjetër të vendit. Në çdo fazë, ai me zgjuarsi nxirrte argumente në shërbim të ideve të tij, duke kërcënuar me luftë nëse nuk i plotësoheshin dëshirat. Ndërsa demokratët perëndimorë tërhiqeshin në paqe. I erdhi radha Polonisë. Anglezët me francezë vendosën ta mbronin atë me forcë, ndërsa Hitleri shpejtoi të merrte masa mbrojtëse duke nënshkruar në gusht të vitit 1939 Paktin e Mossulmimit me Stalinin. Ky pakt ishte një marrëveshje agresive me anë të së cilës dy diktatorët kishin rënë dakord për ndarjen e Polonisë. Nëntë ditë pas kësaj, Gjermania sulmoi Poloninë dhe pas 16 ditësh të njëjtën gjë bëri edhe Bashkimi Sovjetik. Edhe pse Anglia dhe Franca i shpallën menjëherë luftë Gjermanisë, Polonia u thye shpejt .

Viti 1940 ishte viti më i rëndësishëm për Hitlerin. Në prill, armatat e tij pushtuan Danimarkën dhe Norvegjinë; në maj u shkelën Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu. Në qershor kapitulloi Franca. Më vonë, po atë vit, britanikët u rezistuan mësymjeve ajrore gjermane. Në betejën, që njihet si beteja për Anglinë, Hitleri nuk arriti ta pushtonte Britaninë. Në prill të vitit 1941, Gjermania pushtoi Greqinë. Në qershor të po atij viti, duke shkelur Paktin e Mossulmimit, Hitleri sulmoi BRSS. Armatat e tij pushtuan territore të mëdha të Bashkimit Sovjetik, por pa arritur ta shkatërronin Ushtrinë e Kuqe para ardhjes së dimrit. Në dhjetor të vitit 1941, edhe pse luftonte në dy fronte, me Anglinë dhe Rusinë, disa ditë pas mësymjes së japonezëve në bazën detare amerikane të Përl Harbërit, Hitleri u shpalli luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu, në mesin e vitit 1942, Gjermania sundonte në një territor shumë të madh të Evropës, gjë që s’kishte ndodhur kurrë më parë. Veç kësaj, ajo kishte pushtuar edhe një pjesë të madhe të Afrikës Veriore. Kthesa e luftës ndodhi në gjysmën e dytë të vitit 1942, kur Gjermania humbi betejat vendimtare në El Alamejn të Egjiptit dhe në Stalingrad. Pas këtyre dy betejave, fati i luftës u kthye në anën tjetër. Disfata e gjermanëve ishte më se e qartë, por megjithatë, Hitleri nuk u tërhoq nga mendimet e tij aventureske, megjithë humbjet e tmerrshme si të njerëzve, ashtu dhe të teknikës, ai e vazhdoi luftën edhe për më shumë se dy vjet të tjera pas betejës së Stalingradit. Fundi i tmerrshëm i luftës erdhi në pranverën e vitit 1945: në 30 prill, Hitleri vetëvritet në Berlin; tetë ditë më vonë Gjermania kapitullon. Gjatë pushtetit të tij, Hitleri përdori politikën e gjenocidit, politikë që s’ka të krahasuar me asnjë politikë tjetër në histori. Ai ishte një racist fanatik, që urrente në mënyrë të veçantë hebrenjtë. Qëllimi i tij ishte i qartë: t’i shuante të gjithë ata nga faqja e dheut. Gjatë regjimit të tij, nazistët ndërtuan kampe të shumta përqendrimi të pajisura me dhoma të mëdha gazi. Në çdo vend të pushtuar nga Hitleri u ndërtuan hangarë të mëdhenj për zhdukjen e burrave, grave, fëmijëve të pafajshëm. Për një kohë të shkurtër, disavjeçare, në ato hangarë janë vrarë ose kanë vdekur rreth 6 milionë hebrenj. Por nuk janë vetëm ata viktimat e Hitlerit. Regjimi i tij zhduku në mënyrën më të tmerrshme një numër të madh rusësh, ciganësh dhe njerëzish të tjerë, që cilësoheshin si raca më të ulëta ose si armiq të pushtetit të tij. Nuk duhet menduar se ato krijime ishin spontane, të kryera gjatë djegieve dhe shkatërrimeve në betejat vendimtare. Kampet shfarosëse ishin organizuar me aq kujdes dhe vetëdije, si të bëhej fjalë për ndërtimin e rrjeteve të mëdha të kompanive tregtare. Kishin regjistra me kuota të caktuara: të vrarët i plaçkitnin me kujdes: ua shkulnin dhëmbët e florinjtë, u hiqnin unazat martesore nga gishtërinjtë e duarve, ndërsa me trupat e tyre prodhonin sapun. Kaq shumë u përfshi Hitleri në programin e vdekjes, sa edhe nga fundi i luftës, kur Gjermania vuante nga mungesa e nevojave shtëpiake apo ushtarake, ai merrte kompozicionet e njerëzve nga kampet shfarosëse dhe i përdorte për plotësimin e këtyre nevojave të ndyra ushtarake. Ekzistojnë disa arsye të besojmë që emri i Hitlerit nuk do të harrohet shpejt. Para së gjithash, në sytë e gjithë njerëzimit ai mbetet krimineli më i madh i të gjitha kohërave. Për deri sa Neroni dhe Kaligula, që nuk janë asgjë përpara Hitlerit, kujtohen pothuajse pas 20 shekujsh më pas si simbole të egërsisë, atëhere me plot gojë mund të themi se emri i Hitlerit, sido që të jetë, do të kujtohet si krimineli më i madh i historisë dhe do të mbetet i pranishëm si i tillë edhe shekuj të tjerë me radhë. Hitleri do të kujtohet si shkaktari dhe fajtori kryesor i luftës më të madhe që njeh bota, i Luftës së Dytë Botërore. Pas zbulimit të armës atomike, është më pak i besueshëm shpërthimi i ndonjë lufte të re botërore. Për këtë arsye mendojmë se edhe pas dy-tre mijë vjetëve, Lufta e Dytë Botërore do të mbetet si një nga ngjarjet më të mëdha të hidhura të historisë. Hitleri do të mbetet i njohur edhe për jetën e tij jashtëzakonisht interesante. Është e çuditshme se si një i huaj (është lindur në Austri e jo në Gjermani), pa kulturë politike, pa mjete dhe lidhje politike, arriti në më pak se 14 vjet të ngjitet në krye të pushtetit të një fuqie të madhe botërore. Po të gjykojmë sipas  aftësisë për të tërhequr nga vetja një masë të gjerë ithtarësh, mund të thuhet se Hitleri ka qenë oratori më i talentuar në gjithë historinë njerëzore. Por sigurisht, metodat skëterrë që përdori për të mbajtur pushtetin nuk do të harrohen shpejt. Mbase, nuk ekziston figurë tjetër që të ketë ndikuar aq shumë për keq te bashkëkohësit e vet: Krahas dhjetëra milionëve të zhdukur në luftën që shpërtheu për faj të tij dhe të vrarëve në kampet shfarosëse të nazizmit, miliona të tjerë mbetën pa shtëpi ose të gjymtuar në mënyrë të tillë që iu shkatërrua jeta tërësisht. Në çdo vlerësim të Hitlerit duhen patur parasysh dy faktorë: Së pari, një pjesë e ngjarjeve të asaj periudhe, në të vërtetë nuk do të ndodhnin, po të mos ekzistonte ai. Në këtë vështrim, ai ndryshon nga personalitetet e tjera, siç mund të jenë Çarls Darvini apo Simon Bolivari. Por, sido që të jetë, vetë situatat në Gjermani dhe Evropë i dhanë dorë Hitlerit. Ligjet militariste që vuri ai,u miratuan nga shumica e njerëzve të tij. Nuk ka tregues që të vërtetojë se shumica e gjermanëve në vitet 20-30 prisnin apo kërkonin një udhëheqës të tillë, që të ndiqte një politikë të tejskajshme, si ajo që ndoqi Hitleri, ashtu siç nuk ka tregues se edhe udhëheqës të tjerë gjermanë, mund të ndiqnin një politikë të tillë.  Ngjarjet, që ndodhën në kohën e Hitlerit nuk ishin parashikuar nga asnjë vëzhgues i jashtëm, qoftë edhe afërsisht.

Dhe së dyti, gjithë lëvizja naziste u mbizotërua në shkallën më të lartë nga një udhëheqës i vetëm. Marksi, Lenini dhe Stalini kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e komunizmit. Por, nacional-socializmi nuk ka patur udhëheqës të rëndësishëm as përpara dhe as pas Hitlerit. Hitleri i solli nazistët në pushtet duke e mbajtur gjatë gjithë periudhës vetë pushtetin. Me vdekjen e tij u zhduk si partia naziste, ashtu dhe udhëheqja e saj. Edhe pse ndikimi i Hitlerit në jetën e bashkëkohësve të tij ishte i madh, është e dukshme se ky ndikim në brezat e mëvonshëm do të zbehet shumë. Hitleri nuk realizoi asnjë nga qëllimet e tij kryesore që të ndikonte sadopak pozitivisht në brezat pasardhës, qoftë edhe me ndonjë veprimtari. Për shembull, Hitleri këmbënguli shumë që të zgjeronte ndikimin dhe territorin e Gjermanisë. Por pushtimet e tij, edhe pse të mëdha, ishin kalimtare. Gjermania e sotme ka më pak territore se kishte kur ai e mori pushtetin. Hitleri digjej nga dëshira për ta zhdukur Evropën, por vetëm 15 vjet pas ardhjes së tij në pushtet, u krijua shteti i pavarur hebre, Izraeli (pas plot 2000 vjetësh). Hitleri urrente edhe komunizmin, edhe Rusinë. Megjithatë, menjëherë pas vdekjes së tij dhe, deri diku, si rezultat i luftës që ai filloi, Rusët vendosën kontrollin e tyre në pjesën më të madhe të Evropës Lindore, ndërsa ndikimi komunist u rrit shumë në gjithë botën. Hitleri nuk e përdori demokracinë, por ndërmori masa për ta shkatërruar atë jo vetëm në vendet e tjera, por edhe në Gjermani. Përkundër kësaj, Gjermania sot është një shtet demokratik, qytetarët e saj, ndryshe nga brezat para Hitlerit, nuk e durojnë dot më pushtetin autoritar.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Platoni.