Ndikimi i Çarls Darvinit në mendimin njerëzor është i madh

0
473

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 16 me radhë e ka Çarls Darvin .

Nr 16 Çarls Darvin
1809-1882

Çarls Darvin, krijuesi i teorisë së evolucionit me rrugën e përzgjedhjes natyrore, është lindur në Shruzberi të Anglisë më 12 shkurt të vitit 1809, në të njëjtën datë që është lindur Abraham Linkolni. Në moshën 16 vjeç u regjistrua në Universitetin e Edinburgut për të studiuar për mjekësi. Me që mjekësia dhe anatomia nuk i pëlqyen, pas një farë kohe, u transferua në Kembrixh, ku studioi për teologji. Aty e tërhoqën shumë studimet për botën dhe dukuritë e natyrës. Krahas kësaj, duke lënë përshtypje shumë të mira te një profesor, me propozimin e tij, ai u bë anëtar i një ekspedite kërkimore shkencore me anijen “Bigëll”. Në fillim, i ati nuk donte ta linte të merrte pjesë në këtë ekspeditë, pasi do t’i duhej të largohej nga studimet. Por, më në fund ai u bind dhe e dha fjalën. Kështu, Darvini u nis së bashku me ekspeditën, që ishte më frytdhënësja në historinë e shkencave perëndimore. Ekspedita kërkimore-shkencore e filloi udhëtimin me anijen “Bigëll”në vitin 1832, kur Darvini ishte 22 vjeç. Gjatë pesë vjetëve udhëtim ,ekspedita i ra rreth e qark botës: lundroi ngadalë në gjatësinë e bregut jugor të Amerikës; studioi ishujt Galapagos, pa Paqësorin, Indinë dhe pjesën jugore të Oqeanit Atlantik. Në këtë udhëtim të gjatë, Darvini studio me themel çuditë e natyrës, vizitoi fise vendase, zbuloi mbeturina fosilesh, vëzhgoi shumë bimë e gjallesa. Për çdo gjë që shikonte, mbante shënime të hollësishme, të cilat u bënë bazë për gjithë veprimtarinë e tij të mëvonshme. Nga ato shënime nxori idetë themelore dhe numër të madh të dhënash, që i dhanë mundësi për të argumentuar teorinë e tij.

Darvini e kreu udhëtimin e tij kërkimor-shkencor në vitin 1836 . Në 20 vitet e fundit pas kësaj, ai botoi shumë libra, që e nxorën në pah si një nga biologët më të shquar të Anglisë.Në vitin 1837, nga studimet që kishte kryer, kishte arritur në bindjen se bimët dhe gjallesat nuk janë të pandryshueshme, ato zhvillohen me historinë gjeologjike. Por, në atë kohë, ai ende nuk e kishte të qartë pasqyrën e plotë të këtij evoluimi. Duke lexuar në vitin 1838” Esenë për parimet e popullsisë”të Tomas Maltuist, ai gjeti çelësin e kuptimit të përzgjedhjes natyrore, që është rezultat i luftës për jetë. Megjithatë, pas formuliit të parimeve të përzgjedhjes, ai nuk u shpejtua që t’i publikonte arritjet e tij. E dinte se kjo teori do të ndeshte në kundërshtime, ndaj punoi edhe për një kohë të gjatë duke mbledhur të dhëna dhe duke renditur argumentet.

Në vitin 1842, ai hodhi shkurt në letër pikat kryesore të teorisë së tij, ndërsa në vitin 1844 filloi të punonte me monografinë komplete, duke bërë plotësimet dhe rregullimet e nevojshme të punës së tij të madhe. Në këtë kohë, në qeshor të vitit 1858,i bije në dorë një dorëshkrim i biologut Alfred Rasen Vallas (atëhere në Indi) , i cili ekspozonte idetë e tij mbi evolucionin. Teoria e Vallasit në pikat kryesore përputhej me ato të Darvinit. Vallasi e kishte punuar teorinë e tij vetëm dhe ia kishte dërguar Darvinit, si një ndër shkencëtarët e njohur, për të marrë mendimin e tij, përpara se ta publikonte. Situata u ndërlikua dhe mund të kalonte lehtë në armiqësi për autorësinë e kësaj teorie. Por, nuk arriti deri aty : pas një muaji ,dorëshkrimi i Vallasit së bashku me një studim të shkurtër të Darvinit u paraqitën përpara një forumi shkencor.

Sado e çuditshme që të duket, ky studim shkencor nuk pati ndonjë interes të veçantë. Përballë kësaj, libri i Darvinit, i publikuar një vit më vonë, ndeshi në reaksion të jashtëzakonshëm. Në botë mund të mos ekzistojë një punim tjetër shkencor, që të ketë patur aq polemika e që të jetë kontrolluar me aq imtësi, jo vetëm nga shkencëtarët, por edhe nga njerëzit e zakonshëm, se libri i Çarl Darvinit me titullin”Prejardhja e dukurive”. Polemikat zgjatën deri në vitin 1871, kur Darvini botoi librin tjetër ”Shfaqja e njeriut” , ku zbërthente tezën e prejardhjes së njeriut nga majmunët njerëz. Ende pa u dhënë shpjegimet përfundimtare, ky libër si të thuash i hodhi benzinë zjarrit.

Në diskutimet për teorinë e tij, Darvini nuk morri pjesë, pasi ishte i sëmurë. Gjendja e tij shëndetësore ishte dëmtuar që në ekspeditën me anijen “Bigëll”. Vuante nga sëmundja e Shagasë, që iu shkaktua nga pickimet e insekteve .Por, ithtarët e teorisë së evolucionit, kishin përfaqësuesin e tyre, oratorin e shkathët, Tomas Hekslin, që e mbrojti në mënyrë të shkëlqyer teorinë e Darvinit. Vetëm pas vdekjes së Darvinit, teoria e tij u pranua nga shumica e shkencëtarëve dhe u quajt si e drejtë dhe e saktë. Darvini nuk është krijuesi i parë i teorisë së evolucionit.Shumë shkencëtarë para tij e kanë hedhur këtë ide, si biologu francez Xhan Batist Lamarak, apo babai i Darvinit, Erazmuz Darvin. Por, hipotezat e tyre nuk ishin miratuar nga rrethet shkencore. Ata nuk ishin argumentetë besueshme për evolucionin. Merita e madhe e Darvinit ishte, se ai sqaroi mekanizmin e përgjethjes natyrore, duke e argumentuar me të dhëna të shumta e të besueshme, në mbështetje të ideve të tij. Duhet theksuar se Darvini punoi me temën e tij, pa u mbështetur në gjenetikën, madje edhe pa e njohur atë .Në kohën e tij, asnjeri nuk dinte se si veçori të përcaktuara karakteristike kalojnë nga njeri brez në tjetrin, Edhe në qoftë se Grigor Mendeli i kishte studiuar ligjet e trashëgimisë në të njëjtën kohë, kur Darvini kishte botuar veprat e tij epokale, dijet e tij që aq bukur plotësonin ato të Darvinit, mbetën pothuajse të panjohura deri në vitin 1900, kur Shkolla e Darvinit ishte në kulmin e saj. Prandaj, kuptimi ynë i tanishëm për evolucionin, ku bashkohen dy ligje, ai i trashëgimisë gjenetike dhe ai i përzgjedhjes natyrore sot është më i kompletuar, në krahasim vetëm me teorinë e Darvinit.

Ndikimi i Darvinit në mendimin njerëzor është i madh. Duke vëzhguar me këmbëngulje shkencore ai solli ndryshime rrënjësore në shkencën e biologjisë .Përzgjedhja natyrore,në të vërtetë,është parim i përgjithshëm, me anën e të cilit janë bërë eksperimente, që zbatohen edhe në fusha të tjera ,si në antropologji, sociologji, logjikën politike, politologji dhe ekonomi. Ndikim shumë të madh kanë patur dijet e Darvinit lidhur edhe me mendimin fetar. Në kohën e tij ,madje edhe shumë më vonë, shumë kristianë mendonin se teoria e evolucionit do ta groposte besimin në fe. Ndoshta, tek ata mund të ketë mbizotëruar frika. Por,megjithatë, në rënien e përgjithshme të ndjenjave fetare kanë ndikuar edhe shumë faktorë të tjerë. Darvini ka qenë agnostik. Doktrina e Darvinit solli shndërrime edhe në shikimin e botës nga njerëzit. Gjinia njerëzore, si e tërë, nuk zë atë vend qendror në natyrë, ashtu siç mendohej më parë. Sot, e shohim veten si një nga dukuritë e shumta të natyrës, duke e ndjerë dhe kuptuar se nuk jemi të përjetshëm. Falë Darvinit, që mendimi i Heraklitit” Nuk ka gjë të përjetshme, me përjashtim të shndërrimit”tani pranohet gjithnjë e më tepër. Rruga e suksesshme e teorisë së evolucionit, si sqarim për prejardhjen e njeriut, forcoi besimin, se shkenca është aftë t’u japë përgjigje pothuajse të gjitha problemeve njerëzore. Në fjalorin tonë kanë gjetur vendin termat darviniane “lufta për jetën” dhe “mbetet më i afti”.

Është e vërtetë, se teori të ngjashme do të zbuloheshin edhe po të mos ekzistonte Darvini. Por, janë pikërisht studimet e Darvinit, ato që shndërruan rrënjësisht shkencat e biologjisë dhe të antropologjisë, si dhe kuptimin tonë për vendin që zë njeriu në botë.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhin e rradhës që është Shi Huang Ti .