Ndihmo kafshët në këtë të ftohtë, me pak mund të shpëtoni jetën e shumë prej tyre

0
361

Nga Fondacioni per te drejtat e kafsheve

Me rënien e temperaturave, për miqtë tonë katër-këmbësh të cilët jetojnë në rrugë, mbijetesa bëhet shumë më e vështirë. Prandaj, është obligim i secilit prej nesh me mundësitë që i kemi të kontribojmë që këto krijesa të dashura ta kalojnë këtë acar sa më lehtë. Disa nga mënyrat se si mund të ndihmoni:

– Siguroni ushqim (jo të dëmshëm për qentë dhe macet: https://www.aspca.org/…/people-foods-avoid-feeding-your-pets) dhe ujë: Kafshët endacake shpenzojnë shumë kohë dhe energji në kërkim të ushqimit, prandaj është shumë e rëndësishme t’i kenë këto në dispozicion në mënyrë që ta ruajnë energjinë e tyre.
– Ofroni strehim: Nëse keni dëshirë, dhe më e rëndësishmja, kushte, ofroni strehim të përkohshëm për ndonjë kafshë të rrugës, sidomos gjatë natës. Nëse nuk mund ta merrni një kafshë brenda në shtëpi apo banesë, së paku hapni dyert e garazhës ose të hymjes ashtu që këto kafshë të kenë një strehë nga i ftohti dimëror. Keni kujdes të mos e mbani kafshën për më shumë se 1-3 javë (vetëm gjatë acarit të madh) nëse nuk planifikoni që ta mbani përgjithmonë, ngaqë pastaj lëshimi i saj sërish në rrugë pas një periudhe të gjatë kohore, do të duket për kafshën endacake si braktisje.
– Krijoni strehim: Nëse nuk keni mundësi ta strehoni një kafshë të rrugës, me pak mund, mund ta krijoni një strehë të përkohshme të cilën mund ta ndërtoni nga kutitë e drurit, kartonit, kutitë e këpucëve etj.
– Përdorni rroba apo batanije të vjetra: Nëse keni rroba apo batanije të vjetra që nuk i përdorni në shtëpi, mund t’i shfrytëzoni për t’i mbuluar kafshët.
– Kontrolloni veturën para se të niseni: Shumë mace të rrugës, për shkak të të ftohtit të madh, gjejnë strehë në brendi të motorrit të veturës, pasi që është më nxehtë. Trokisni disa herë në pjesën e përparme të veturës para se të niseni, në mënyrë që t’i jepni kohë maceve të ndërrojnë vendin.