Ndërroi jetë gjyqtari i parë nga Kosova me stemë të FIFA-s

0
34

Sporti kosovar, në veçanti futbolli, mbetën pa doajenin e ndarjes së drejtësisë, gjyqtarin e parë nga Kosova me stemë të FIFA-s, Shinasi Berisha, i cili u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare.

Shinasiu ishte gjyqtari i parë që ndau drejtësinë në fushë edhe në ndeshjet e ish-Ligës Federative të Jugosllavisë, madje duke qenë edhe gjyqtari kryesor i shumë finaleve të Kupave të ish-RFJ-së.

Një kohë ishte edhe drejtor në KF Prishtina, derisa për shumë vjet udhëhoqi Shoqatën e Gjyqtarëve në FFK, duke i kushtuar rëndësi të madhe edukimit të brezave të rinj.

Me ndarjen e tij nga jeta, sporti kosovar dhe gjeneratat e reja humbën një udhërrëfyes, që përmes punës dhe korrektësisë në fushë, arriti të bëhet idhull i gjyqtarëve jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit.

Shinasiun e kam pasur edhe mik të mirë dhe bashkëudhëtar, në veçanti gjatë fazës së shkëputjes nga sistemi sportiv serbosllav dhe krijimi i sistemit sportiv unik të Kosovës, edhe pse nën okupim!

Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe gjithë Lëvizjes Olimpike në Kosovë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes së tij, Federatës së Futbollit të Kosovës, gjyqtarëve të futbollit, miqve dhe gjithë dashamirësve të sportit.