Ndalni dritat nëpër shtëpitë e juaja për 2 minuta, më 27 prill, t’i kujtojmë personat e pagjetur

0
160

Për 20 vjet në terr – në ora 20:00 ndali dritat për 2 minuta.

Me 27 prill 2020, në ora 20:00 ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë e tyre për 2 minuta, për të shënuar ditën kombëtare të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Me 2 minuta errësirë në familjet tonat, ne do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilën ndodhen familjarët e 1.644 personave ende te pagjetur për tash e 20 vjet.

Qe 20 vjet familjarët kërkojnë e shpresojnë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Qe 20 vjet ata presin në ankth për të ditur të vertetën por edhe per drejtësi për krimet që janë bërë ndaj familjarëve të tyre.

Qe 20 vjet familjarët dhe shoqëria kosovare përballen me neglizhencë institucionale për zbardhjen e çështjes së personave të pagjetur. Prandaj, edhe në këtë ditë, si çdo ditë tjetër, ne nuk do t’i harrojmë. Do të vazhdojmë t’i kujtojmë personat e pagjetur, sepse ata janë pjesë e jona.

Qeverisë se Kosovës do të vazhdojmë t’i kërkojmë përgjegjësinë ligjore dhe morale që ka për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur, ndërsa shoqërisë kosovare përgjegjësinë kolektive që ka për të mos harruar asnjëherë.

Kjo ngjarje organizohet në bashkëpunim me: Kosovo Missing Persons,Integra,Humanitarian Law Center Kosovo dhe forumZFD – Kosovo Program