NATO e quan gabim transformimin e FSK-së në Ushtri

0
58

Kuvendi i Kosovës sot me vota unanime ka themeluar ushtrinë e Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar pas formimit të ushtrisë së Kosovës, duke shprehur keqardhje që ky vendim u bë pavarësisht shqetësimeve të NATO-s.

“Sot, institucionet në Kosovë kanë njoftuar miratimin e tre ligjeve që iniciojnë procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Më vjen keq që ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Ndërkohë, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në parim një çështje që Kosova të vendosë, ne kemi bërë të qartë se ky veprim është i gabuar”, ka thënë Stoltenberg.

Madje, sipas tij NATO-ja duhet ta rishqyrtojë mbështetjen për ushtrinë e Kosovës. Ai, po ashtu, ka bërë thirrje për paqe dhe të vazhdohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të gjitha palët duhet të sigurojnë që vendimi i sotëm nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon. Të gjithë aktorët politikë përgjegjës në rajon duhet të përqendrohen në përparimin e reformave dhe në dialog. E përsëris thirrjen time për Prishtinën dhe Beogradin që të mbeten të qetë dhe të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që mund të çojë në përshkallëzim. NATO-ja vazhdon të mbështesë dialogun e sponsorizuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës si zgjidhja e vetme politike e qëndrueshme për rajonin”, ka thënë Stoltenberg.