NATO dhe BE thirrje për unitet mes SHBA-së dhe bllokut europian

0
42

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe zyrtarët e lartë të BE-së, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel nxitën forcimin e lidhjeve midis bllokut të 27 vendeve dhe SHBA-së.

Treshja e udhëheqësve përshëndeti presidentin e ri të SHBA-së, Joe Biden dhe miratoi hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet transatlantike.

“Ne duhet të forcojmë unitetin tonë, unitet i cili buron nga premtimi ynë për të mbrojtur njëri-tjetrin”, tha Stoltenberg në Konferencën e Sigurisë të Mynihut, takim vjetor i liderëve globalë për politikën ndërkombëtare të sigurisë.

Duke e quajtur “mundësi historike”, pas “dallimeve midis Europës dhe Amerikës së Veriut”, kreu i NATO-s i bëri thirrje Bidenit dhe udhëheqësve europianë “të rifitojnë besimin dhe të forcojnë unitetin”.

Stoltenberg theksoi se aleanca ushtarake duhet të zgjerojë konceptin e sigurisë sepse ndryshimet klimatike dhe pandemia e koronavirusit kanë treguar rëndësinë e rezistencës.

Ai theksoi se aleanca duhet të veprojë mbi ndryshimet klimatike duke ulur emetimet e operacioneve ushtarake dhe varësinë e tyre nga lëndët djegëse fosile.

“Siguria dhe klima shkojnë krah për krah”, deklaroi ai.

Ursula Von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, gjithashtu ftoi SHBA-në të bëhet partnere me BE-në në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Ajo shprehu shpresën se Uashingtoni do të ndjekë shembullin e BE-së dhe do të angazhohet që të bëhet neutral ndaj klimës deri në vitin 2050.

“Jam e sigurtë se me angazhimi transatlantik për zero emetime deri në vitin 2050 do ta bënte neutralitetin e klimës një pikë të re referimi global”, tha ajo.

Ndërkohë, si presidenti i Këshillit Europian, Michel, theksoi se “duam të rindërtojmë një botë më të mirë, më të drejtë dhe më të gjelbër për të gjithë”.

”BE dhe SHBA tani do të kenë ndikim më të madh për të promovuar demokracinë dhe për të çuar përpara ekonomitë tona”, tha ai.

”Së bashku ne jemi më të fortë për të mbrojtur rendin botëror të bazuar në rregulla nga sulmet e regjimeve autokrate, qoftë nga Rusia, Kina apo Irani. Dhe ne jemi më të fortë për të siguruar paqen dhe sigurinë”, shtoi ai./ATSH