Natë e madhe për Kosovën

0
56

Sonte vërtet është natë e madhe, natë historike për Kosovën. Përfaqësuesja jonë në futboll e ka mposhtur Azerbajxhanin me rezultat 4:0, e ka siguruar pozitën e parë në Grupin 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve dhe të drejtën për të luajtur në gjysmëfinale të play-offit për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit 2020.

Stadiumi “Fadil Vokrri” as përafërsisht nuk i ka plotësuar kërkesat e të interesuarve për këtë ndeshje. Megjithatë, ata që patën fatin të sigurojnë biletë, krijuan atmosferë që shihet vetëm në vendet me numër shumë më të madh të banorëve dhe me traditë shumë të pasur të futbollit.

Ndeshja filloi në mnyrën më të mirë të mundshme. Arbër Zeneli që në minutën e 2-të e kaloi Kosovën në epërsi për të paralajmëruar fitoren e madhe.

Me shifrat 1:0 përfundoi pjesa e parë, ndërsa e dyta ishte edhe më e jashtëzakonshme.

Vetëm pesë minuta pas pushimit, Zeneli doli në skenë edhe njëherë dhe me gol mjeshtëror e shtoi epërsinë në 2:0.

Kur pritej reagimi i rivalit, ndodhi e kundërta. Futbollistët tanë jo vetëm që nuk u ndalën, por i intesifikuan sulmet, duke mos i dhënë asnjë shpresë Azerbajxhanit.

Në minutën e 61-të, mbrojtësi Amir Rrahmani shënoi me kokë për 3:0 për të “shpërthyer” edhe njëherë atmosfera në “Fadil Vokrri”.

As me këtë rezultat nuk u kënaqën “Dardanët”, të cilët dukej se e synonin përsëritjen e rezultatit në Maltë, ku fituan 5:0.

Në minutën e 76-të, Arbër Zeneli e shënoi edhe golin e tij të tretë, për të kompletuar het-trikun dhe natën magjike për Kosovën.

Në përgjithësi ishte paraqitje fantastike për Përfaqësuesen tonë për çka duhet përgëzuar të gjithë, duke filluar nga përzgjedhësi Bernanrd Challandes e deri tek tifozi i fundit./OxygenPress.info

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu