NASA zbulon ujë në sipërfaqen e Hënës

0
116

NASA ka njoftuar se ka zbuluar ujë në sipërfaqen e hënës. Ky zbulim tregon se uji mund të shpërndahet në të gjithë sipërfaqen hënore, dhe jo vetëm në pjesët e ftohta e të pandriçuara të Hënës.

Hulumtuesit kanë publikuar dy studime në gazetën Nature Astronomy, dhe gjetjet e tyre i kanë ndarë me publikun gjatë një konference të NASA-s të mbajtur të hënën.

Observatori Stratosferik i NASA-s për Astronominë Infra të kuqe (SOFIA), ka konfirmuar se uji u pikas afër kraterit Clavius, një nga formacionet më të mëdha të kraterit në satelitin qiellor dhe që mund të shihet me sy të lirë. Kështu tha në një konferencë për shtyp Paul Hayne, një shkencëtar në Universitetin e Kolorados.

Hayne është autori kryesor i një prej studimeve të botuara mbi këtë temë.

 “Ne kishim indikacione se H2O – uji që ne njohim – mund të jetë i pranishëm në anën e ndriçuar nga Dielli të Hënës”, tha Paul Hertz, drejtori i Divizionit të Astrofizikës në Drejtorinë e Misionit Shkencor në Selinë e NASA-s në Uashington. “Tani e dimë që është atje. Ky zbulim sfidon të kuptuarit tonë të sipërfaqes hënore dhe ngre pyetje intriguese në lidhje me burimet e rëndësishme për eksplorimin e thellë të hapësirës.”

Si krahasim, shkretëtira e Saharasë ka 100 herë më shumë sasi uji sesa ajo që u zbulua në sipërfaqen hënore. Pavarësisht nga sasitë e vogla, zbulimi ngre pyetje të reja se si krijohet uji dhe si vazhdon në sipërfaqen e ashpër hënore pa ajër.

NASA shkruan se është e “etur të mësojë gjithçka” që mundet për praninë e ujit në Hënë para se të dërgojë në sipërfaqen hënore gruan e parë astronaute si dhe një astronaut tjetër në vitin 2024. Agjencia synon krijimin e një pranie të qëndrueshme njerëzore atje deri në fund të dekadës.

NASA