“Muzeu i zemrave të thyera” këtë vit edhe në Kosovë

0
143

Muzeu i ‘Zemrave të Thyera’, turneu ndërkombëtar i ekspozitës së artit, do vazhdojë në Maj rrugëtimin e tij drejt Prishtinës.

Nga data 3 maj deri më 1 qershor, Lapidariumi i Muzeut të Kosovës (Shtëpia e Qelqit), do t’i çelë dyert për të pritur shfaqjen e ekspozitës së quajtur Muzeu i Zemrave të Thyera të Kosovës, një koleksion sendesh dhe kujtimesh të cilat tregojnë histori të dashurive të kaluara dhe lidhjeve të kahershme.

Dy nga organizatorët e ekspozitës që do mbahet në Prishtinë, Kushtrim Fetahu dhe Diellza Salihu, sqaruan se janë në kërkim të kontributit të njerëzve në mbarë vendin për të dhuruar sendet e tyre si dhe të ndajnë historitë e dashurisë në formë anonime, për t’i paraqitur ato në muze.

“Mund të ndani pothuaj çdolloj historie tuajën”, tha Fetahu. “Qofshin ato kujtime nga partnerët tuaj romantikë, prindërit tuaj, motrat tuaja, miqtë tuaj, çfarëdo që ju dëshironi”.

Muzeu i Zemrave të Thyera zuri fill në Kroaci, ku dy artistë çelën muzeun e tyre të parë privat në Zagreb për të shfaqur sende që ata i kishin koleksionuar nga njerëzit në gjithë botën, që simbolizonin lidhjet e tyre të përfunduara.

“Olinka Vistica dhe Drazen Grubisic, dy të dashuruar nga Zagrebi, u ndanë pas 4 viteve lidhjeje”, shpjegoi Fetahu. “Kur u takuan sërish ca vite më vonë, ata ndanë historitë e tyre në lidhje me sendet që kishin ruajtur të cilat i përkisnin njëri-tjetrit dhe vendosën kësisoj t’i sillnin në një vend të vetëm. Më pas ata filluan t’u kërkonin edhe miqve të tyre dhe të tjerëve që të bënin të njëjtën gjë”.

Që nga viti 2006, njerëzit kanë dhuruar gjërat e tyre personale, fotot, kujtimet dhe dhuratat e lëna pas në muzeun e Kroacisë, shoqëruar me rrëfime të shkurtra të cilat ruajnë kujtimet e lidhjeve të shkuara, ku publiku mund të shkojë t’i kundrojë, duke ndërvepruar dhe ndarë përvoja përgjithësisht relative për audiencën.

Muzeu përmban me qindra sende të ekspozuara, që nga një sëpatë e përdorur për ta shkatërruar një orendi të ish-it, deri tek një aparat kafeje i vjedhur për t’i acaruar partnerët, si dhe vazhdimisht po mbledh histori të reja zemërthyerjesh.

Muzeu u bë botërisht i famshëm, nën idenë e zbulimit të marrëdhënieve njerëzore dhe ruajtjes së emocioneve e ndjenjave me anë të shfaqjeve që rezonojnë me audiencën në mbarë botën. Si me anë të projektit në Kosovë, ashtu edhe në vende të tjera është lansuar kjo ekspozitë në bashkëpunim me ekipin e Zagrebit përgjatë dekadës së kaluar. Nga popullariteti i shumtë që pati, u kthye në një ekspozitë të përhershme, të instaluar në Los Anxhelos të SHBA-së në vitin 2016.

“Ekspozita ka rrugëtuar në mbarë botën, në Indi, Turqi, Finlandë, Danimarkë, Maqedoni”, tha Salihu. Këtë vit, ekspozita do t’i drejtohet Atla-s së Norvegjisë, Tokios së Japonisë, me ndalesën e saj të radhës në Prishtinë.

Bashkë me kontributet që po kërkon ekipi i Kosovës, organizatorët në Kroaci të cilët po bashkëpunojnë me Fetahun dhe Salihun për ta lansuar projektin në Prishtinë do të sjellin rreth 20-30 sende të shoqëruara me historitë përkatëse për t’i shfaqur në Muzeun Kombëtar.

Fetahu shpjegoi se sendet e dhuruara nuk do qëndrojnë domosdoshmërisht në Kosovë. Pas mbylljes së ekspozitës në qershor, ato mund të bëhen pjesë e ekspozitës së përhershme në Zagreb apo si pjesë e turneut të ekspozitës në destinacionet e radhës nëpër botë.

‘’Një histori e koleksionuar në Prishtinë mund të shfaqet në Londër apo Paris, ku i dihet”, tha ai.

“Nuk i dihet se ku do shkojnë këto histori dhe se kush do i lexojë”, tha Salihu. “Sapo të na i jepni sendet, duhet t’i përshëndesni pasi nuk keni për t’i parë më kurrë!”

Dhurimi i sendeve dhe rrëfimi i historive me Muzeun e Zemrave të Thyera mund të jetë një terapi për njerëzit për të lënë prapa kujtimet e hidhura, apo një mënyrë për të gdhendur në memorie kujtime nga njerëzit e tyre më të dashur, siç dhe e kanë shpjeguar.

Të pyetur nëse do kontribuojnë me kujtimet e tyre, Fetahu dhe Salihu qeshën. “Është sekret”, pohoi Fetahu. “Megjithatë po, mbase mund t’i gjeni edhe historitë tona aty”.

Salihu shpreson që kjo përvojë mendjehapur, duke ndarë histori personale dhe duke i kthyer ato në art, do ta inkurajojë këdo të krijojë projekte të vetat.

“Mendojmë dhe kemi shpresë që ky do jetë hapi i parë nga ku të tjerë të rinj do të mund të bëjnë të njëjtën gjë”, tha ai./JNK

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu