Mungon deputetja Donika Kadaj- Bujupi, dështon të mbahet gjykimi për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

0
113

Në mungesë të deputetes nga radhët e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi, ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj ish- ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, deputetit Pal Lekaj dhe ish- deputetes Besa Baftiu.

Kadaj-Bujupi, Haxhiu, Lekaj dhe Baftiu, po akuzohen se me datë 19.02.2016, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Mungesën e të akuzuarës Kadaj- Bujupi, e arsyetoi mbrojtësi i saj, avokati Sylejman Klinaku, i cili tha se e njëjta nuk ka pranuar ftesë për seancën e sotme.

Lidhur me këtë gjyqtarja e rastit Naime Krasniqi- Jashanica, njoftoi se e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk ka dëshmi nëse ajo e ka pranuar ftesën.

Ndryshe, në këtë seancë mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci, si dhe mbrojtësit e tjerë deklaruan se nuk i kanë pranuar akoma shkresat e lëndës.

Me ç’rast, gjyqtarja Krasniqi- Jashanica, e obligoi prokurorin e rastit Ilaz Beqiri, që brenda afatit ligjor ti pajisë të njëjtit me të gjitha shkresat.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë nuk është mbajtur dhe ajo e radhës është caktuar për datë 30 korrik 2020.

Sipas aktakuzës së siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, e cila përfaqësohet nga prokurori Ilaz Beqiri, të pandehurit akuzohen se më datë 19.02.2016, paautorizim kanë poseduar armë, përkatësisht bombola të gazit lotsjellës.

Të njëjtit këto bombola kanë arritur që ti fusin në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas pauzës së punës së Kuvendit, derisa ishin duke u kthyer në sallë për të vazhuar me punimet. Mjete këto të cilat i’u janë gjetur dhe sekuestruar nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit gjatë kontrollës.

Me këtë secili veç e veç e kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”, e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se kjo lëndë është duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë./drejtesiasot