Mungesa e sigurisë juridike të bizneseve në raport me të drejtat pronësore pengon zhvillimin ekonomik të vendit

0
47

Çështjet pronësore përbëjnë një aspekt tejet të rëndësishëm në të bërit biznes, derisa sfida të ndryshme burojnë nga legjislacioni i cili rregullon të drejtat mbi pronën e paluajtshme në vend, shkalla e gjerë e informalitetit në sektorin e pronave dhe zbatimi jo-konsistent i këtyre të drejtave. Kjo u tha, ndër të tjera, në tryezën e fundit virtuale të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me programin e USAID për Drejtësi Komerciale, ku u trajtua tema e të drejtave pronësore të bizneseve.

Matthew Cullinane, zyrtar për ndërmarrje private në zyrën e USAID për Rritje Ekonomike, tha se qeveria duhet t’u hap rrugë bizneseve përmes krijimit të lehtësirave për procedurat për kryerjen e aktiviteteve të tyre, dhe përmes rregulloreve gjithëpërfshirëse, duke krijuar kështu mundësi më të mira për rritje dhe zhvillim ekonomik. Cullinane informoi pjesëmarrësit për strategjinë e USAID, e cila është e orientuar nga tregu dhe ndërmarrjet private, derisa theksoi se brenda së njejtës rëndësi e veçantë i jepet zbatimit të arbitrazhit, ndërmjetësimit, dhe metodave alternative për zgjidhjen e kontesteve. Sipas tij, sistemet ligjore në çdo vend kanë hapësirë për përmirësim, megjithatë një sistem i besueshëm ligjor brenda shtetit sidomos në aspektin komercial, është kyç për të siguruar zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e atraktivitetit të bizneseve para investitorëve të huaj.

Erblina Krasniqi, avokate dhe përfaqësuese ligjore e kompanisë Tregtia, theksoi se disa nga problemet më kruciale të cilat bizneset i hasin në lidhje me të drejtat pronësore rrjedhin nga burokracia në institucione. Sipas saj, kjo krijon sfida të mëdha sidomos duke marrë parasysh rritjen e numrit të ndërtimeve të reja që nga koha e pasluftës të cilat tani shpeshherë nuk regjistrohen në mënyrë të mirëfilltë. Tutje, ajo shtoi se ekzistojnë kontradikta në mes të ligjeve në vend, ku përmendi sfidat në bartjen e pronësisë. Krasniqi tha se kundërshtimet e tilla ndodhin si pasojë e hartimit të ligjeve nga aspekti individual e jo ai biznesor, gjë që krijon një kolateral të pashfrytëzueshëm pasi që këto prona nuk mund të hipotekohen, shiten apo tjetërsohen. Për fund, Krasniqi cilësoi se themelimi i Gjykatës Komerciale, e cila tani më ka kaluar fazën e konsultimit publik, do të ishte një avantazh i madh për Kosovën në aspektin e zgjidhjes së kontesteve komerciale.

Kujtesa Nezaj-Shehu udhëheqëse e zyrës si dhe avokate në SDP Kosova, potencoi se në asetet e bizneseve përveç atyre monetare dhe pronës së prekshme, pjesë shumë e rëndësishme është edhe pronësia intelektuale, duke shtuar se kjo pronë është ajo që bën dallimin mes një biznesi dhe konkurentëve të tij. Duke u ndërlidhur me sfidat që hasin bizneset në vend, Nezaj-Shehu theksoi se ndërgjegjjësimi ndaj rëndësisë së pronës intelektuale nuk është edhe aq i lartë, gjë që e bën të pamundur identifikimin dhe mbrojtjen e saj. Ajo theks të veçantë i dha mbrojtjes të së drejtave mbi pronën intelektuale, gjersa bëri thirrje tek bizneset që mbrojtjen e të njëjtave ta shohin si investim, dhe të ndjekin procedurat e nevojshme administrative për të siguruar mbrojtjen e pronave intelektuale si të drejtat e autorit, patentat, markat tregtare dhe dizajnet, që duhet të regjistrohen në organet kompetente.