“Muaji i kujtesës”: Përkujtohet poeti dhe dramaturgu Frederik Reshpja

0
44

Në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, përkujtohet sot poeti dhe dramaturgu Frederik Reshpja.

“Homazh një prej poetëve më të jashtëzakonshëm shqiptarë, shpirtit të lirë Frederik Reshpja, përherë në kërkim të Itakës”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke sjellë në vëmendje figurën e poetit.

Frederik Reshpja lindi në qytetin e Shkodrës ndërsa rrënjët familjare i kishte nga Dukagjini. Shkollën fillore dhe atë të mesme e ndoqi në shkollën “29 Nëntori” në qytetin e lindjes, ndërsa studimet e larta i kreu në Pedagogjiken e Tiranës.

Pas përfundimit të studimeve ai rikthehet në Shkodër për të punuar edhe si specialist i kulturës. Gjatë jetës së tij ai krijoi shumë drama dhe poezi të cilat spikatën jashtëzakonisht shumë dhe u vlerësuan nga lexuesit por sidomos edhe nga kritika e kohës.

“Rapsodi shqiptare”, “Tri përralla për fëmijë”, dramat “Ëndrra e tokës” dhe “Trofta hutaqe” janë disa nga veprat e autorit. Në vitin 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi me një urdhër të dalë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës dhe më pas do të arrestohej dhe dënohej për disa herë me radhë me motivin se përbënte rrezik në dobësimin dhe rrëzimin e pushtetit të kohës.

Në fillim të viteve ’90 ai lirohet nga burgu për t’iu rikthyer edhe njëherë tjetër aktivitetit letrar. Pavarësisht pasurisë që ai la, më 17 shkurt të vitit 2006 vdes në Shkodër në një varfëri të skajshme. /ata