MTI edhe me një vendim për vendosjen e flamujve të origjinës

0
46

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ndryshuar Udhëzimin Administrativ për vendosjen e flamujve, ndryshim ky i cili nuk lejon më që produktet që shiten nëpër markete t’i vendosin flamujt në bazë të barkodit, por në bazë të vendit të origjinës.

E kjo, meqë sipas MTI-së, ka raste kur flamuri i origjinës është përcaktuar në bazë të barkodit, por që nuk ka qenë në përputhje me vendin e origjinës se ku është prodhuar ai produkt.

“Kjo ka ardhur pas ankesave nga ana e konsumatorëve, mediave dhe institucioneve tjera relevante të Republikës së Kosovës, sepse ka pasur paqartësi tek origjina e produktit dhe vendosja e flamujve pranë produktit”, thuhet në njoftimin e ministries.

Sipas MTI-së, ky plotësim ndryshim i Udhëzimit Administrativ u bë për ta qartësuar dhe eliminuar çdo mundësi të manipulimit me vendosjen flamujve afër çmimit të produktit./OxygenPress.info