Mozaiku i Tiranës, thesar i trashëgimisë kulturore është kthyer në identitet

0
35

Mozaiku i Tiranës, thesar i trashëgimisë kulturore të kryeqytetit është kthyer në identitet.

Pas një muaji pune të kujdesshme, që kërkonte shumë durim e pasion, përfundoi restaurimi i këtij monumenti kulture i kategorisë I. Ky monument është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, uroi sot mirëmëngjes me pamje nga puna për restaurimin e këtij mozaiku.

“Mirëmëngjes dhe me këtë tjetër thesar të trashëgimisë kulturore të dalë në dritë në zemër të Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, – thekson Rama.

Punimet restauruese përfshinë konsolidimin, larjen, rivendosjen e teserave, mbushjen e fugave, pastrimin sipërfaqësor me anë të kompresave me karbonat amoni, trajtimi i lakunave.

Mozaiku i Tiranës, monumenti më i vjetër, monument kulture i kategorisë I, është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit. Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materialit dhe teknikës së përdorur i përket artit paleokristian.

Siti arkeologjik “Mozaiku i Tiranës”

Gërmimet arkeologjike nxorën në dritë një ndërtesë kulti, ku narteksi dhe naosi kanë dysheme të shtruar me mozaikë. Kisha e Tiranës paraqet një ndërtesë me aks gjatësor të orientuar nga verilindja që përbëhet nga një sallë qëndrore (naos) dhe parasallës (pronaos).

Salla qendrore është e shtruar me mozaikë përfundon me absidën gjysmërrethore në një nivel më të lartë se parasalla.

Ambiente të tjera u gjetën në anën veriore dhe anët e tjera të ndërtesës. Kemi të bëjmë me një ndërtesë të kthyer në një kohë të dytë në kishë, që kuptohet nga krijimi i parasallës, në mozaikun e të cilës ka simbole të kultit si kryqe, peshq e shpendë, ndërsa mozaiku i sallës ka më tepër dekor gjeometrik.

Kështu që kisha mund të datohet si e gjysmës së parë të shekullit IV, kur akoma nuk ishte formuar qartë tipologjia arkitekturale.

Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materiali dhe teknika e përdorur i përket artit paleokristian. Mozaiku shtrohej mbi një shtresë që nivelonte kalldrëmin prej zajesh lumi duke përdorur llaç, gëlqere dhe pluhur tjegullash./ATSH