Motra ime vdiq shtatzënë, ndaj mos më pyesni se kur do bëj një fëmijë!

0
708

Herën e parë që dëgjova veten të thoshte me zë të lartë pse nuk ishte e sigurt nëse donte të sillte në jetë një fëmijë, ishte 6 muaj më parë. Isha në punë gjatë një konference dhe e gjeta veten duke i folur një të panjohuri rreth vdekjes së motrës sime në muajin e pestë të shtatzënisë. Po i thosha që s`po merrem dot vesh me burrin, i cili mezi pret të kemi fëmijë. Po i thosha që s`kam kurajo të flas me të apo miket e mia më të mira për t`i thënë diçka që e di qëkur kam qenë adoleshente.

Nuk jam njeriu që flas me të tjerët për gjërat e mia private dhe detaje të jetës personale.

Motra ime 29 vjeçe dhe burri i saj po përpiqeshin për një shtatzëni prej disa vitesh. Ajo dhe mjekët e dinin rrezikun që i kanosej, prej një sëmundjeje kronike në veshka që kur ishte fëmijë. Pas një lufte të gjatë me mjekime e trajtime, ata i kishin sugjeruar të mos lindte fëmijë, sepse do rrezikonte abort ose jetën e saj.

Po ajo ishte shumë optimiste. Kishte të njëjtën fuqi që e kishte mbajtur në jetë, edhe pas problemit me veshkat, të njëjtën fuqi që nuk e kishte penguar të martohej, të jetonte një jetë të lumtur, të shkollohej dhe të punonte si mësuese. Kur e pyesnin nëse kishte fëmijë, ajo përgjigjej: Unë kam shumë fëmijë, duke iu referuar nxënësve që e adhuronin. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Ajo donte një fëmijë të vetin. Unë nuk mund të ndërhyja në vendimin e saj. Nuk më dëgjonte.

Unë isha 17 vjeçe në atë kohë, kur ajo dhe i shoqi vendosën të provonin. Mamaja ia bëri edhe njëherë të qartë rreziqet, i tha të mendohej mirë. Një vit më vonë e humbën nënën nga një infarkt. Mua më mungonte shumë gatimi i saj, shëtitjet me të, pazari që bënim bashkë dhe çokollata e ngrohtë në ditët e ftohta me shi.

Tre vite pas vdekjes së nënës, ëndrra e madhe e motrës u bë realitet. Ishte shtatzënë. Mjekët sërish e këshilluan ta ndërpriste shtatzëninë, por ajo vazhdonte të ishte optimiste, të paktën në fillim. Pas tre muajve të parë shenjat nuk dukeshin të mira. Ajo u dobësua dhe simptomat e vjetra u rikthyen. Mjekët i rritën dozën e ilaçeve. Ajo provoi edhe të takonte guru e njerëz të fesë që i premtuan një se mrekullia do ndodhte.

Sa më shumë rritej barku, aq më shumë përkeqësohej shëndeti i saj. La punën dhe qëndroi në shtëpi. U mërzita kur e pashë që s`po bënte atë që donte më shumë, mësimdhënien.

Pastaj, një pasdite, kur ishte 5 muajshe më telefonoi vjehrra e saj: “Motra ka nevojë për ty”, më tha.

Dy javët pas kësaj telefonate i kalova në spital. Ajo u shtrua. Veshkat e saj po e humbnin funksionin dhe ndërkohë që mjekët e infermierët hynin e dilnin nga dhoma e saj, ne luteshim për mrekullinë.

Pastaj vuajtjes së saj i erdhi fundi. Isha në shkollë kur mora një telefonatë. Një infeksion përshpejtoi degradimin e veshkave të saj dhe i dha fund të dyja jetëve, të bebit dhe motrë. Për muaj të tërë isha e trishtuar, e mërzitur, konfuze.

Ka kaluar një dekadë që atëherë por ende nuk e kuptoj dëshirën e madhe të motrës sime për një bebe edhe pse mjekët ia kishin parashtruar pasojat. Vras mendjen: Mos vallë ishte presioni i shoqërisë së fiksuar tek mëmësia që e shtynë motrën time të sakrifikonte jetën e saj, për të pasur një fëmijë me çdo kusht, pavarësisht fjalëve të mjekëve. Kam frikë se kjo ide ma mori motrën, ideja se gratë janë të paplotësuara pa u bërë më parë nëna.

Pse shoqëria na thotë që mëmësia i jep kuptim jetës së një gruaje? Pse nuk mendojnë njerëzit pak më tepër para se të pyesin: “Po hë, kur do ta bëni një bebe?” A thua se je në garë për të lindur fëmijët.

Unë jam 31 vjeçe, jam martuar prej 5 vitesh, jam fokusuar tek karriera, por i ndjej sytë e të afërmve dhe miqve që presin një lajm shtatzënie. Po kujtimet që më mbysin nuk më lejojnë. Jam e papërgatitur për të.

Kur njerëzit më pyesin nëse kam motra apo vëllezër, unë nuk e përmend atë. Ndonjëherë ndihem fajtore që jeta e saj e çmuar po harrohet. Por më trishton shumë të flas për të. Disa madje që më kanë njohur që dikur, ndoshta e kanë harruar që unë kam pasur një motër.

Jam ende duke u shëruar nga ajo që më ndodhi, nuk është se nuk i dua fëmijët. Ndaj pyetja më e mirë që pres të më bëjnë është: A je e lumtur?

Atëherë do u përgjigjem: “Jam e martuar me një burrë të mrekullueshëm, udhëtoj nëpër botë, kam një karrierë të suksesshme, udhëtoj nëpër botë. Po, mendoj se jam e lumtur dhe kjo ka shumë rëndësi”.

*Artikulli i Huffington Post u përshtat në shqip nga Fabjola Hije