Mosha mesatare e mjekëve në Kosovë është 53, rrezikon të rritet mosha e spitalet të mbyllen

0
143

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu tregon se Oda është model i ri në shtetet e Bashkimit Evropian, organ vetëqeverisës i mjekëve e që mes tjerash kanë detyrë licencimin e mjekëve.

Përmes OMK-së bëhet ndjekja e mësimeve të reja nga mjekët, vetdisiplinimi e shumë të tjera.

Kur flet për mjekë me diploma false, thotë se kanë pasur disa raste e që janë verifikuar më pastaj. Ndër problemet që kanë, është ai me mjekët serbë, që nuk e njohin shtetin e Kosovës por marrin paga.

Sejdiu që është ortoped thotë se ka mjekë që gabojnë, që nuk dijnë – sepse askush që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës shteti nuk i ka shkolluar asnjë, secili e ka bërë vet.

“Kemi gabime, kemi dështime por nuk është e vërteta qysh paraqitet në media, unë kam kërkuar nga mediat që të vazhdohet se çka po ndodh me rastin, por shumëherë nuk është në media rezultati final ndaj disa mjekëve. Kemi pa në media edhe persona publik apo politikanë që i thonë kriminel një mjeku, e kjo nuk guxon me ndodh. Mund t’i thuash kriminel Pleuratit, Besimit apo atij tjetrit por jo mjekut (pra jo të gjithëve). Detyra e Odës është që edhe në mesin tonë të ndajmë ‘shapin nga sheqeri’”, thotë Sejdiu në Oxygen.

Ai këmbëngul që kemi mjekë të mirë në Kosovë dhe përmend shumë nga ta që kanë filluar në Kosovë dhe tani janë mjekë me ndikim gjithandej nëpër botë.

Sejdiu shpjegon se shumëherë mjekët në Kosovë improvizojnë gjatë ndërhyrjeve ngase nuk kanë mjete, gjë që nuk është e lejuar por që janë të detyruar ta bëjnë.

Dina gjatë emisionit e ka pyetur Sejdiun nëse ka përgjegjësi për problemet në shëndetësi kur dihet se ai ka qenë sekretar shumë vite në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Nuk mjafton blerja e aparaturës, duhet shkollimi i mjekëve. Këtë duhet ta bëjë shteti. Në oborrin e QKUK-së është bërë një objekt i Emergjencës me 19 mijë metra katrore, e kushdo që e ka bërë që ka kërkuar me u ba duhet me shku në burg. Kam hy në të gjitha shtetet e rajonit nuk ekziston një kaq e madhe. Në gjithë QKUK i kemi 32 apo 36 salla operative kurse Sarajevë i ka 28 ata operojnë shumë më shumë se ne. Plus tash në atë emergjencë janë shtuar edhe 32 salla. Kjo është padituria, megalomania dhe mashtrimi optik sikur po bëjmë diçka”, thotë ai.

Sejdiu thotë se duhet ndalen investimet kapitale në mjekësi e duhet bërë investime në njerëz.

Ai ka përmendur se si janë 700 mjekë të papunë në Kosovë, e në anën tjetër shtëpitë e shëndetit gjithandej Kosovës shkruajnë letra që nuk kanë njerëz dhe po mbyllin repartet.

“Çdo ditë po ikin mjekë nga Kosovë, i bie në çdo ditë po ikë nga një mjekë e gjysmë. Nga këta 700 mjekë prej tyre 100 specialistë, e këta mjekë të rinj në Odën e Mjekëve po na e përmirësojnë statistikat e moshës ku kemi arritur në moshën 53 e ca, nëse këta 600 të rinj shkojnë, ne shkojmë diku të mosha 58 apo 59 e pas gjashtë vitesh do na duhet të na i mbyllim spitalet, e atëherë shoqëria dhe politikanët do ndalen të mendojnë çfarë ka ndodhur”, thotë Pleura Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve në Kosovë, raporton oxygenpress.info  

Flet edhe për idenë e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që mjekët të zgjedhin për të punuar në privat ose në publik.

Sipas tij, kjo është në rregull nëse paga e mjekut do të ishte e mirë. Ai thekson se mjekët në Kosovë kanë pagën 600 euro dhe u duhet të punojnë në shumë orare për të marr një pagë më të dinjitetshme.

“Po, por kjo duhet të vlej për të gjithë. As kontabilisti i Qeverisë mos me mujt me shku me punu në privat, as deputeti dhe ministri mos me mujt me shku me dhanë mësim në disa vende, kjo le të bëhet për të gjithë. U pat dhanë ideja që të deklarojnë mjekët pasurinë, po, por të gjithë edhe këtë, secili që merr pagë nga shteti”, thotë Sejdiu.

Ai pranon se ka raste kur mjekët i referojnë pacientët për në privat.

“Për çka jenë këta drejtorë që paguhen me mijëra euro dhe ka me përcjell pse një pacientë po qëndron nga dy javë ditë aty, ku shkoi? Ka raste kur nuk ka operime që nuk kryhen në QKU dhe duhet me më pyet pse Pleurat po e kryen këtë operacion në Spitalin Amerikan e jo në QKU; valla me thanë unë nuk kam protezë, është në rregull, por ke protezën dhe po e dërgon në privat atëherë duhet dënuar. Pra është sistemi i menaxherëve, jo me u marr ku po shkon njëri me pi kafe por të merret me rastet e pacientëve”, thotë Sejdiu, duke shtuar se asnjë pacientë nuk mundet me shku në privat nëse nuk dëshiron menaxheri.

Kur flet për sjelljet e disa mjekëve në Kosovë, thotë se shkollimi dhe edukimi dallojnë.

Tregon se edhe pacientët shumë herë nuk kanë sjellje të mirë ndaj mjekëve.

Ndërsa, për mjekët serbë që kanë hyrë në Kosovë gjatë kohës së pandemisë, thotë se nuk kemi pasur nevojë për ta.

Pleurat Sejdiu që dikur ishte anëtar i kryesisë së PDK-së që nga viti 2004 nuk është aktiv në politik e që sipas tij ndasitë rajonale i kanë penguar më së shumti, ku thotë se ato na kanë sjellur ku jemi sot, në vuajtje nga komplekset prej nga jemi.

Ndërsa, thotë se ka lënë politikën kur ka parë që shokët e ti të luftës kanë filluar të luftojnë njëri-tjetrin.

“Kjo është me rëndësi dhe vlen edhe tani, ndërkombëtarët qofshin nga Bashkimi Evropian apo amerikanët, apo kushdo, nëse insiston dhe argumenton atë që qëndron mbrapa, e bind, dhe ndërkombëtarëve nuk u pëlqejnë servilët, e shfrytëzon por nuk i pëlqen, mund të mos u pëlqejnë edhe kryeneçësia, por e respekton më shumë kryeneçësinë e argumentuar sesa servilët”, thotë ai kur flet për marrëdhëniet e udhëheqësve me ndërkombëtarët.

Sejdiu thotë se kemi arritur në një kohë që shumë lehtë e shajmë veteranin e UÇK-së, militantin e një partie apo të tjerë. Ai beson se të gjithë mendojnë mirë për Kosovën por thotë se duhet fitojë ai që ka argumente për të mirën e vendit.

Ndryshe, Sejdiu detyra publike ka mbajtur këto:

* Përfaqësues Politik i UÇK-se në Britaninë e Madhe,

* Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Përkohshme,

* Bashkëministër i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale,

* Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë,

*Drejtor i Departamentit për Koordinim dhe Strategji në Ministrinë e Integrimit Evropian.

* Kryetar i shoqatës miqësisë Kosovë-Rumani

* Nga dhjetori i vitit 2017, Kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës. / oxygenpress.info