“Mos u çuditni kur pas pak vjetësh do t’i shihni shqiptarët e Maqedonisë duke u gjakosur me njëri tjetrin për shkak të dallimeve sektare”

0
4875
Nga Blerim Latifi
Lufta e vitit 2001 i kishte tronditur maqedonasit. Papritur ata e panë se sa të dobët janë përballë forcës së nacionalizmit shqiptar.

Në këtë situata ata e kuptuan se e vetmja rrugë për dobësimin e kësaj force ishte strategjia e vjetër e Pashiqit: që të dobësoni nacionalizmin shqiptar investoni në komponentën fetare të shqiptarëve, bëjeni atë më të rëndësishme se komponentën etnike të identitetit të tyre.

Dhe maqedonasit kështu vepruan. Shërbimet e tyre të inteligjencës u vunë në funksion të shkombëtarizimit të shqiptarëve dhe zhytjes së tyre në modelin arab të praktikimit të islamit. Fatkeqësisht plani i tyre ka ecur mjaft mirë.

Tash e paskan hedhur një hap tjetër: krijimin e bashkësisë salafiste në Maqedoni, në mënyrë që të nxisin garën për ndikim religjioz me Bashkësinë tradicionale islame.

Natyrisht, kjo ka një synim më inteligjent: të krijohen kushtet për tensione dhe konflikte sektare midis shqiptarëve në Maqedoni.

Mos u çuditni kur pas pak vjetësh do t’i shihni shqiptarët e Maqedonisë duke u gjakosur me njëri tjetrin për shkak të dallimeve sektare, siç ndodhë rëndom në botën arabe.