“Mos m’kallxo si me dasht..”

0
67

Nga Amela Temja

Mos m’kallxo si me dâsht, se nuk e di nëse najher kam me msu me dâsht me numër, me kufinj, me masë. Nuk e di nëse kam me mujt veten me e nalë për mos me dhanë çdo pjesë t’zemrës e mendjes për disa trosha dashnie që s’më ngopin por ma rrejnë urinë për me e nî lumtuninë sesi ma prek shpirtin. Nuk e di nëse najher kam me u ba katile e me vr*a dyshimet që unë s’di me dâsht pa e rrzue n’radhë t’parë vetën e mânej çdo zemër t’ngratë që munohet me m’kapë për dore. Nuk e di nëse kam me mujt me i ndrru vendet me ata e njiherë me u ndi se kam dhânë mjaftueshëm aq sa mos me e hup edhe vetën. E kjo âsht nji luf*të që unë e pasna hup me kohë tuj u mundu me flejt n’anën e fitimtarëve pa fitore n’dur.

Se m’ka mjaftu…
Nuk e di as unë se ça m’ka mjaftu.
Se mu ka dâsht…
Nuk e di as se ça mu ka dâsht.
Se m’ka dhimt…
E unë as dhimbjen ma s’di me e kallxu.
Se m’ka gzu…
Jo s’ka pas gzim, po vetën e kam mundu me gzim t’rrejshëm.

E mundimi mu ka ba gropë mu n’mes të krahnorit, thue ti s’ka me pas burrë nane me e mbush me jetë e dâshni. Andrrâve iu kam kput rranjët qysh n’shpirt, pa iu mbi hala filizat n’trupin tem t’njomë. Shpresës ia kam marr zânin, mos me iu ndi asnji tingull që i jep krahë ndjenjave që vlojnë n’zemrën e shkelun. Kujtimet, nji nga nji i kam ulë n’tavolinën e harresës e jam deh, me dolli t’njëpasnjëshme të çdo zhgënjimi, që zanafillën e kanë pas te kuveti jem për me dâsht marrëzisht, pa numër, pa kufinj, pa masë.
Kam kërcy me hijet e çdo krahu t’munshëm në t’cilin kam mendu që mundem me u mbështet, e në fund t’çdo kangeje jam rrëzu në qoshet ma t’errta, ma t’ftohtat. Aty ku veç ninulla e natës m’ka prek pak shpirtin, e ka përkund dhe e ka vnu n’gjumë të rândë.
Unë, ndoshta s’di si, por s’ka gja, le t’mbesin veçse disa njolla paditurie në fletët e kësaj historie t’dâshnisë që fali, se tashmë ajo ça unë di âsht veç me dâsht, veç me dâsht..