Monumentet e shumta kulturore dhe historike dhe ujërat termal, Përmeti vendi ideal për pushime familjare

0
155

Kush e ka vizituar Përmetin dhe nuk ka mbetur i mahnitur nga bukuritë natyrore dhe monumentet e shumta kulturore dhe historike, që ky qytet i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të lumit Vjosë ofron për vizitorët vendas e të huaj.

“Qyteti i trëndafilave” është cilësuar ‘perla’ e turizmit shqiptar dhe vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin e lumit me gomone apo kajak dhe climbing.

Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë.

Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan, në një pikë dominuese prej nga shikon si në pëllëmbë të dorës luginën e Vjosës. Teqeja është ndërtuar për herë të parë nga Baba Aliu në vitin 1857, në nder të të cilit mban edhe emrin.

Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

Në pjesën lindore të tij ndodhen ujërat termale të Benjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave. Ujërat Termale të Bënjës çdo vit tërheqin mijëra vizitorë vendas e të huaj.

Përmeti duke u shndërruar në një pikë të veçantë turistike tashmë familjet përmetare kanë hedhur hapat e parë të zhvillimit të agroturizmit, ku tradita e gatimeve të njohura përmetare po preferohet gjithnjë e më shumë nga turistët.

“Qyteti i Trëndafilave” shquhet për prodhimet e tij tradicionalë ndër të cilat mund të përmendim glikonë e famshme si dhe pjata tradicionale përmetare të njohura në të gjithë Shqipërinë.

Brenda Qendrës Historike ndodhen shumë ndërtesa të vjetra të qytetit, si dhe ekzistojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776 dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë dhe Kisha e Shën Kollit e shekullit të 19-të. Gjurma e rrugës dhe rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit të 19-të.

Një nga resurset natyrore më të çmueshme janë burimet termale të Bënjës, fshat i ndodhur rreth 8 km nga Përmeti. Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer.

Disa vlera të veçanta në këtë qytet turistik, janë ikonostaset e mrekullueshme të kishës së Leusës, ku mjeshtëria e artit të gdhendjes së drurit ka kaluar në përsosmëri, krahas afreskeve me ikona shenjtorësh, plot ngjyra, art të vërtetë dhe mister.

Vetëm javën e kaluar qytetin e Përmetit e vizituan rreth 1700 turistë, ku vihet re rritje e numrit të turistëve të huaj, si gjermanë, çekë dhe polakë./ATSH