Momenti më i madh për shqiptarët, fushata e NATO’s

0
91
Edhe 22 vjet pas, fushata ajrore e NATO-s ndaj objektivave serbe vazhdon të mbetet ngjarje kundërthënëse mes shqiptarëve dhe serbëve.

Shqiptarët e Kosovës e kanë cilësuar atë si ngjarjen më të madhe historike, kurse për serbët, fushata ajrore ishte gabimi më i madh historik.

Pas një varg përpjekjesh për të arritur një marrëveshje të negociuar mes Prishtinës e Beogradit dhe dy konferencave të dështuara në Rambuille dhe Paris, Aleanca Veriatlantike vendosi të nisë një fushatë ajrore kundër objektivave serbe.

Më 24 mars të vitit 1999, avionët e NATO-s, pak para orës 20:00 qëlluan një numër objektivash të ushtrisë e policisë serbe në disa nga qytetet e mëdha në Serbi, Kosovë e Mal të Zi.

Dy ditë më herët, misioni verifikues, që vepronte nën ombrellën e OSBE-së, lëshoi Kosovën, dhe ofensiva serbe kundër, siç u tha, forcave të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshiu gjithë territorin kosovar.

Zyrtarët e lartë të NATO-s, përfshirë edhe të dërguarin e posaçëm amerikan, Richard Holbrooke nuk arritën të bindin udhëheqësin e atëhershëm jugosllav, Slobodan Milosheviq, që të tërhiqte trupat e tij nga Kosova.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, atëbotë, Javier Solana, dha urdhërin për fillimin e fushatës ajrore mbi objektivat serbe…

Një numër vrasjesh të qytetarëve shqiptarë nga forcat serbe të sigurimit, ndodhën në natën e fillimit të fushatës ajrore ndërkohë që mijëra qyetarë të Kosovës, u larguan me dhunë nga shtëpitë e tyre, nga një fushatë, që u cilësua, spastrim etnik, e cila përfshiu gjithë Kosovën.

Udhëheqësit ushtarakë të NATO-s thanë se po bënin përpjekje për të ndaluar krizën e krijuar humanitare dhe fushatën e filluar të spastrimit entik.

Ndalim i spastrimit etnik

 Mendoj se ishte me rëndësi që të mos kishte më spastrim etnik në Evropë.
Gjenerali Wesley Clark
Ish-komandanti i krahut jugor të NATO-s, gjenerali Wesley Clark, që udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s, i pati deklaruar BBC-së pak vite më vonë, se Aleanca ishte munduar t’i jepte fund spastrimit etnik në Evropë.

 

“Mendoj se ishte me rëndësi që të mos kishte më spastrim etnik në Evropë,” tha gjenerali Clark.

“Udhëheqësit e NATO-s e kuptuan se aktivitetet e Milosheviqit, që po ndërmerreshin në Ballkan, ishin jo vetëm të drejtuara kundër të drejtave të njeriut, por ishin edhe një kërcënim ndaj stabilitetit rajonal dhe gjithashtu edhe kërcënim ndaj misionit të NATO-s në Bosnjë, sepse suksesi i tij këtu do të forconte elementet e vijës së ashpër që të përballeshin me forcat e NATO-s në Bosnjë.

“Po! NATO-ja mori një vendim të drejtë, duke përdorur forcën vetëm, vetëm dhe vetëm si një alternativë të fundit,” tha gjenerali Clark.

Ngjarje historike

Në Kosovë fillimi i fushatës ajrore të NATO-s u pa si fundi i “dhunës së regjimit të Beogradit” dhe u shënua si një nga ditët më historike të saj.

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëmarrës në konferencën e Rambuille-së, aktualisht kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha për BBC-në se Aleancës Veriatlantike, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike, nuk i mbeti asnjë rrugë tjetër përveç fillimit të fushatës ajrore për të ndërprerë krizën humanitare në Kosovë.

“Bombardimet e NATO-s erdhën pas luftës çlirimtare, pas krizës humanitare dhe njëkohësisht bombardimet e NATO-s përfundimisht e nxorrën policinë, ushtrinë dhe administratën e dhunshme serbe nga Kosova,” tha zoti Krasniqi.

“Kosovës e gjithë rajonit i hapën perspektivën e paqes dhe ndërtimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik,” tha ai.

Publicisti Veton Surroi, që kaloi gjithë fushatën ajrore të NATO-s, i fshehur në qytetin e Prishtinës, thotë se kjo ishte një ngjarje historike për Kosovën.

“Padyshim se është një ndjenjë e njëjtë si e kam patur edhe atëherë dhe që është një moment i jashtëzakonshëm dhe historik për Kosovën, në të cilin Aleanca perëndimore, Perëndimi dhe vlerat perëndimore, janë vënë në mbrojtje të Kosovës. Kjo ka qenë një kthesë gjatë e pritur nga populli i Kosovës”, tha zoti Surroi.

KFOR-i hyn në Kosovë

Fushata ajrore e NATO-s që zgjati 78 ditë u ndërpre në qershor të vitit 1999.

Më 12 qershor, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, trupat e NATO-s hynë në Kosovë për të zënë vendin e trupave serbe në tërheqje.

Gjatë kësaj periudhe afro 1 milionë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre drejt Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të Zi, mbi 10 mijë veta u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën.

Me përfundimin e fushatës ajrore nuk përfunduan edhe problemet. Mbi 2000 shqiptarë vazhdojnë të cilësohen si të zhdukur, kurse autoritetet serbe thonë se edhe 1000 serbë mbeten të pagjetur.

Ndjenja të përziera

Qytetarët shqiptarë e panë fushatën NATO-s si shpëtimin e tyre.

Udhëheqësit politikë serbë e kanë cilësuar si të padrejtë dhe të paligjshme fushatën ajrore të NATO-s ndaj, siç kanë thënë, një anëtari të OKB-së dhe një vendi sovran.

9 vjet më pas Kosova ka shpallur pavarësinë e saj.

Kundërshtimet ndaj vendimeve për Kosovën vazhdojnë ende dhe një bashkëpunim më i afërt në rajon duket se duhet të pres edhe për një kohë.

Në mesokohë, trupat paqeruajtëse të NATO-s, vazhdojnë të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.