Momente kur vashat e Kosovës fituan ndaj Estonisë

0
122

Vashat e Kombëtares së Kosovës kanë triumfuar me plot meritë, me shifrat 2:0 në përballje me Estoninë, që u zhvillua të premten në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo ndeshje i takoi kualifikimeve për Euro 2021. Ndonëse në këtë ndeshje përzgjedhësja Afërdita Fazlija kishte në dispozicion po thuajse në tërësi ekip të përbërë me futbolliste që luajnë në kampionatin vendor, me përjashtim të Erëleta Memetit e Edona Kastratit, në fushën e lojës Dardanet shfaqën një lojë të shkëlqyeshme. Vajzat tona e mbizotëruan plotësisht lojën në pjesën e parë, duke krijuar raste të shumta, dy prej të cilave edhe i kapitalizuan.

Të dy golat i realizoi futbollistja e Mitrovicës, Kaltrina Biqkaj, në minutat 7-të dhe 27-të, por në të dy rastet rol vendimtar kishte futbollistja Erëleta Memeti, e cila luan në Bundesligë me Freiburgun. Afër golit në këtë pjesëlojë ishte edhe Edona Kastrati, gjuajtja e të cilës nga ndërprerja goditi traversën. Në pjesën e dytë Dardanet e administruan mjaft mirë lojën dhe me qetësi e ruajtën epërsinë e krijuar në 45 minutat e parë, duke i arkëtuar kësisoj tri pikë të rëndësishme.

Në fakt, pas kësaj fitoreje Kosova renditet në pozitën e katërt në Grupin A, me 9 pikë pas 6 ndeshjeve të zhvilluara sa ka edhe Rusia në pozitën e tretë por me një ndeshje më pak, derisa renditjen e kryeson Holanda me 21 pikë, kurse Sllovenia është në pozitën e dytë me 12 pikë në 7 ndeshje të zhvilluara. Në dy pozitat e fundit janë Turqia dhe Estonia me nga 1 pikë.