Moisiu: Kosova është krahinë e Shqipërisë – ky është realiteti

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në një intervistë për Televizionin e Shqipërisë, RTSH, ka folur edhe një herë për deklaratën e tij që ka thënë se Kosova është krahinë e Shqipërisë.

“Kam thënë atë që ka qenë, atë që është, kam thënë realitetin. E kam thënë në Prishtinë në një aktivitet dhe kam thënë: siç është Myzeqeja siç është Labëria ashtu është dhe Kosova. Sepse kështu është. Flas për Shqipërinë që ka qenë si një territor i banuar nga shqiptarët. Seç ndodhi më vonë, me zhvillimet historike dhe këtu Evropa na ka një borxh të madh, duke nisur që nga Kongresi Berlinit…”, ka thënë se Moisiu.

Moisiu ka thënë se Evropa ju ka borxh shqiptarëve, transmeton Klan Kosova.

“Na ka borxh. Më 1913 ministri i jashtëm i Anglisë në kongresin e ambasadorëve, kur u mbyll kjo punë, pasi raportoi në dhomën e komuneve tha: “zotërinj ne bëmë një gjë të mirë. Vërtet mund të na kritikojnë”.

“Shqipërisë i kemi hyrë në hak, por rëndësi ka jo ajo çfarë i bëmë Shqipërisë, por ajo që ne arritëm të evitojmë përplasjen mes aleatëve të mëdhenj të Evropës”, ka thënë më tej Moisiu në këtë intervistë.