Mjekët kërkojnë mbajtjen e maskës edhe në zyra dhe ambiente të jashtme

0
33

Mjekët britanikë bëjnë thirrje për maska të detyrueshme në zyra dhe në ambiente të jashtme, sipas Sky News.

Ata akuzojnë qeverinë britanike për neglizhencë dhe thonë se mesazhet e saj jo të vazhdueshme çuan në përhapjen e një vale të dytë Covid-19.

”Maskat duhet të jenë të detyrueshme brenda dhe jashtë, atje ku distancimi shoqëror prej dy metrash nuk është i mundur”, këmbëngulin mjekët.

Mjeku i njohur, Chaand Nagpaul, i Shoqatës Britanike të Mjekëve (BMA) deklaroi se ”ne po gëlltisim një ‘pilulë’ shumë të hidhur të infeksionit për faktin se ai po përhapet me një shpejtësi të rrezikshme”.

“Masat më të forta të sjella tani mund të jenë një ‘pilulë’ shumë më e ëmbël në periudhën afatgjatë për shumë më shumë qytetarë”, theksoi ai.

Shoqata Britanike të Mjekëve rekomandon ndër të tjera:

  • Modifikimin e të ashtuquajturit “Rregulli gjashtë” aktual një rregullin që lejon takimin e vetëm dy familjeve me gjashtë persona.
  • Bërjen të detyrueshme të mbajtjes së maskave të fytyrës në të gjitha zyrat dhe mjediset e punës, përveç rastit kur jeni duke punuar vetëm.
  • Mbajtjen e maskave ​​në të gjitha mjediset e jashtme ku distancimi shoqëror prej dy metrash nuk është i mundur

Sigurimin e mbështetjes financiare për bizneset, ambientet e shitjes me pakicë dhe mikpritjes për t’i mundësuar ata që t’i bëjnë mjediset të sigurta dhe të sigurojnë rregulla të qarta se çfarë do të thotë mjedis i sigurtë.

Rekomandimet vijnë ndërsa kryeministri Boris Johnson përgatitet të zbulojë nesër një sistem të ri me tre nivele të kufizimeve të koronavirusit.

Çështja e mbajtjes së maskave u mbështet nga profesori Calum Semple, një ekspert në mjekësinë e shpërthimit të epidemive në Universitetin e Liverpulit dhe anëtar i Grupit Këshillimor Shkencor të Qeverisë për Emergjencat.

“Në fillim të shpërthimit të epidemisë, ne nuk kuptonim shumë gjëra për këtë virus, por tani ne e vlerësojmë rëndësinë e mbulimit të fytyrës dhe të maskave në një ambient të brendshëm, veçanërisht kur ventilimi nuk mund të garantohet”, thotë Semple.

“Në realitet, nëse jeni jashtë duke shëtitur qenin tuaj vetë dhe jeni shumë metra larg nga njerëzit e tjerë, atëherë mbajtja e një maske nuk bën asnjë ndryshim. Por, nëse jeni në një zonë tregtare në qendër të qytetit ose jeni në radhë jashtë dyqaneve, atëherë po, duhet të vishni një maskë”, thekson ai.

Ndërkohë, Nagpaul shton se “infeksioni është rritur pas relaksimit të shpejtë të masave dhe me qeverinë që neglizhoi deri në gusht. Ajo nxiti njerëzit të udhëtonin, të shkonin në punë dhe në restorante dhe bare”.

“Me pranimet në spitalet COVID ekziston një mundësi që qeveria të sjellë kufizime të thjeshta, por më të forta”, shton ai.

Dje, Britania e Madhe raportoi 13 864 raste të reja me koronavirus, së bashku me 87 vdekje të tjera.

Numri i riprodhimit të koronavirusit (R) në vend ra lehtë në mes 1,2 dhe 1,5, më poshtë nga java e kaluar me 1,3 deri 1,6, sipas Grupit Këshillimor Shkencor të Qeverisë për Emergjencat (SAGE).

Sidoqoftë, SAGE tha se ishte pothuajse e sigurt se epidemia vazhdon të rritet në mënyrë eksponenciale në të gjithë vendin dhe se është e sigurt se transmetimi nuk po ngadalësohej.

Një zëdhënëse e Departamentit të Shëndetit dhe Kujdesit Social (DHSC) tha se masat e qeverisë janë udhëhequr nga këshillat e ekspertëve në çdo fazë të pandemisë.

“Ne kemi qenë të qartë që nga fillimi se pajtueshmëria e publikut me rregullat e vetizolimit dhe masat e distancës sociale është absolutisht thelbësore për parandalimin e përhapjes së virusit”, theksoi ajo.//atsh