Mitrovica kampione e Kosovës në konkurrencën e femrave

0
89

Mitrovica ka arritur ta mbrojë titullin e kampionit në konkurrencën e femrave, pasi në ndeshjen përcaktuese për titull e ka mundur Feronikelin, me rezultat 1:0. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë. Golin e fitores për mitrovicaset e realizoi Kaltrina Biçkaj në vazhdime, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll pa gola. Në përgjithësi ndeshja ishte mjaft rivalizuese, me një dominim të lehtë të mitrovicaseve. Në pjesën e parë të dyja ekipet shpërdoruan nga një mundësi të mirë shënimi.

Fillimisht Zelfije Bajramaj e Feronikelit doli në pozitë të mirë në minutën e 30-të, por gjuajtjen e saj e priti Viona Rexhepi. Në anën tjetër, mitrovicaset lëshuan rast shumë të mirë në minutën e fundit të pjesës së parë kur Ambra Gjergji me kokë gjuajti pranë portës pas harkimit Qëndresa Bajrës. Në pjesën e dytë të dyja ekipet u treguan më të kujdesshme në lojë, por në minutat e fundit Mitrovica shumë lehtë ka mundur të shënojë. Së pari Liridona Syla nga gjuajtja e lirë gjuajti furishëm, por topin mbi portë e dëboi portierja, Lavdije Behramaj, derisa më pas Edona Kryeziu nga afër me kokë nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë. Kësisoj, ndeshja shkoi në vazhdime ku në 15 minutëshin e parë mitrovicaset shënuan nëpërmjet Kaltrina Biçkajt me gjuajtje nga distanca, gol ky i cili u kontestua nga skuadra e Feronikelit nëse e ka kaluar apo jo topi vijën fatale të portës. Në vazhdimin e dytë vashat e Feronikelit u përpoqën maksimalisht për ta shënuar golin e barazimit, por nuk ia dolën. Në fund medaljet për ekipin kampion i shpërndanë Xhelal Broja, anëtar i KE të FFK-së dhe Valbona Gashi-Uka, administratore e Ligës së femrave, derisa trofeun e kampionit kapitenes Fatbardha Osmani ia dorëzoi anëtarja e KE të FFK-së dhe kryetarja e Komisionit të futbollit të femrave, Vjollca Krasniqi.

Deklaruan:

Seid Onbashi: E kemi pritur se do të jetë një ndeshje e tillë e vështirë, sepse kemi ditur se do të ballafaqohemi me një kundërshtar i cili në radhët e veta ka lojtare shumë cilësore. Edhe pauza e gjatë e ka bërë të veten, pasi që nga nëntori e kemi luajtur vetëm një ndeshje miqësore. Kjo ndeshje ka pasur peshë të madhe, ngase përveç titullit fitorja na e siguron edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. I përgëzoj vajzat për angazhimin, derisa këtë fitore dëshiroj t’ia dedikoj Edona Kryeziut, e cila para dy ditësh e ka humbur babin, por ka gjetur forcë për të ardhur dhe për të na ndihmuar drejt këtij suksesi.

Edona Kryeziu: Për mua ka qenë e vështirë të luaja, ngase vetëm dy ditë më parë babi im ka ndërruar jetë. Megjithatë, duke pasur parasysh se secili prej nesh në këtë jetë do t’i përjetojë këto dhimbje e sfida, e kam gjetur forcën të vij dhe të jap kontributin tim për skuadrën në këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Edhe dëshira e babit tim ka qenë që unë ta fitoj këtë trofe, prandaj përkundër dhimbjes së madhe për ndarjen nga babi erdha e motivuar dhe ndjehem mirë që ia arritëm qëllimit për ta fituar sërish titullin e kampionit. Natyrisht këtë sukses ia dedikoj babit tim, i cili çdo herë më ka përkrahur.