Miratohet vaksina e dytë për Covid: Ku ndryshon nga vaksina e parë?

0
115

Një javë pasi miratoi përdorimin e vaksinës së Pfizer/BioNTech, Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA) miratoi një tjetër vaksinë për përdorim emergjent, atë të kompanisë Moderna.

Autorizimi i përdorimit emergjent erdhi pasi një panel këshilltarësh të jashtëm të FDA votuan unanimisht, me një abstenim, për të rekomanduar përdorimin e vaksinës.

“Shpejtësia e këtyre autorizimeve pasqyron urgjencën e pandemisë dhe është një dëshmi e përparimeve shkencore që bënë të mundur zhvillimin e shpejtë të vaksinave,” tha imunologu James Hildreth, president i Meharry Medical College në Nashville,Tennessee, në takimin e panelit të enjten. “Të kalosh nga një sekuencë e virusit në janar në dy vaksina në dispozicion në dhjetor është një arritje e jashtëzakonshme.”

Si ndryshon vaksina e Moderna nga ajo e Pfizer?

Efikasiteti: Të dyja vaksinat kanë treguar nivele të ngjashme të efikasitetit, prej afro 95%.

Struktura: Të dy vaksinat mbështeten te ARN-ja mesazhere, por përbërja e tyre është pak më e ndryshme. Ato kanë sisteme të ndryshme të ashtuquajtura të shpërndarjes së lipideve, që do të thotë lloji i pikës yndyrore në të cilën ndodhet mesazhi ARN. Kjo është arsyeja pse kanë karakteristika të ndryshme të ruajtjes dhe trajtimit.

Magazinimi: Vaksina e Moderna nuk ka nevojë të mbahet në temperatura shumë të ftohta, si ajo e Pfizer e cila duhet të ruhet në minus-75 gradë Celsius. Vaksina e Moderna mund të mbahet në rreth minus-20 gradë Celsius.

Doza dhe koha: Vaksina e Moderna administrohet si dy doza 100 mikrogramë dhënë me një diferencë prej 28 ditësh. Vaksina e Pfizer administrohet si dy doza 30 mikrogramëshe, 21 ditë nga njëra-tjetra.

Mosha: Vaksina Moderna do të përdoret tek njerëzit e moshës 18 vjeç e lart, ndërsa ajo e Pfizer është e autorizuar për personat 16 vjeç e lart.

Burimet: Nature, CNN, Anabel