Miratohet rishqyrtimi i buxhetit të Kosovës

0
36

Më 67 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në parim Projektligjin 07/L-014 për Rishikimin e Ndarjeve Buxhetore për vitin 2020.

Mosrishikimi i buxhetit sipas Qeverisë, po mban peng ekzekutimin pagesave të Pakos Emergjente Fiskale për punëtorët, ndihmat për qiratë e bizneseve si dhe masat e tjera të parashikuara në të njëjtën pako.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, gjatë seancës së kaluar, ka arsyetuar rishikimin e buxhetit ku ka theksuar se me këtë do të adresohen sfidat të cilat janë shkaktuar nga kriza e pandemisë COVID-19.

Bajrami ka thënë se shpenzimet buxhetore janë paraparë të jenë 2.6 miliardë euro që parashihet edhe Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike prej 385 milionë euro.
Lexo po ashtu:

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza gjatë debatit për rishikimin e buxhetit ka thënë se, me gjithë vërejtjet dhe shqetësimet që i ka, siç tha për një dokument të keq të punuar me shumë defekte, do ta japë votën për dhe do të bëjë përpjeke që mes dy leximeve të korrigjohet.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka kritikuar deputetët e PDK-së duke thënë se këta të fundit nëpër seanca kanë pozicion oportunistë, derisa në fund përsëri votojnë.

Kujtojmë se të premten kishte nis shqyrtimi i këtij projektligji përgjatë tërë ditës, por në orët e vona ishte ndërprerë seanca pas incidentit në Kuvend.