Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë i dhuroi Kosovës 6000 teste (RT-PCR) për COVID-19

0
80

Ambasadori I Republikës Federale të Gjermanisë Christian Heldt i dorëzoi sot 6.000 teste RT-PCR COVID-19 Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për përgjigje në pandeminë Covid-19, të cilat u siguruan dhe u financuan nga Ministria e Shëndetësisë e Gjermane.

Në një konferencë të përbashkët për media me Ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e dhurimit të këtyre testeve, Ambasadori Heldt u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat e nevojshme të sigurisë dhe institucionet përgjegjëse të zbatojnë politikat e kërkuara në mënyrë që të parandalojnë një përhapje të mëtejshme të virusit në Kosovë.

“Janë 6000 teste që mendoj se do t’ju dalin në ndihmë në këtë fazë”, tha Ambaasdori, duke folur për testet. Ai tha se secili duhet t’i respektojë rregullat që janë vendosur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës”. “Maska nuk është shenjë e dobësisë, por shenjë e respektimit të personit pranë jush”, theksoi Ambasadori Heldt.

Ministri Armend Zemaj falënderoi shtetin gjerman për këtë kontribut të drejtpërdrejt në luftën kundër Covid-19.
Ministri Zemaj tha se numri në rritje i rasteve me Covid-19, tregon për nevojën që të respektohen masat e ndërmarra.
“Numri i rasteve ka shkuar në rritje, por me këto ndihma do të ja dalim ta kemi një gjendje normale edhe të furnizimit me teste dhe pjesët e tjera të nevojshme”.

Ministri Zemaj tha se sistemi shëndetësor është ngarkuar dhe për këtë arsye duhet ruajtur profesionistët shëndetësor, sikurse edhe popullata, derisa tha se furnizimi është stabil, por se duhet bërë kujdes.

Në kuptim të rritjes së kapaciteteve spitalore, Ministri Zemaj tha se ekziston një pajtueshmëri me Forcën e Sigurisë të Kosovës që nëse ka nevojë mund të përdoret edhe shërbimi shëndetësor i kësaj force për trajtimin e pacientëve me koronavirus.

Testet të cilat u dhuruan sot nga Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë për Kosovën janë prodhuar nga Kompania gjermane “Thermo Fischer” dhe i plotësojnë të gjitha kërkesat e laboratorëve kompetent në Kosovë.