Ministri Selimi nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për punësimin e viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të dhunës seksuale

0
87

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me Rrjetin e Grave të Kosovës dhe Shoqatën “Rrjeti i Shitësve me Pakicë”, sot kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, përmes së cilës do krijohen lehtësira në punësim të personave të strehuar në strehimoret e dhunës në familje dhe të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës.

“ Nënshkrimi i këtij Memorandumi është një rast i rrallë ku Qeveria në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe sektorin privat, ka gjetur një zgjidhje për të rehabilituar gratë të cilat janë viktima të dhunës në familje dhe që janë në strehimore”, tha ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.

Sipas ministrit Selimi, deri te ky bashkëpunim ka ardhur pas shqyrtimit të kërkesave të domosdoshme të grave që janë viktima të dhunës meqë sipas tij, ri-integrimi i tyre ka qenë sfida kryesore.

“Si pjesë e ri-integrimit të tyre, e kemi parë të domosdoshme që të kyçet sektori privat veçanërisht sektori i shitjes me pakicë, që ofrojnë një gamë më të gjerë të vendeve të punës që përfshijnë të gjitha kategoritë, përgatitjen e tyre etj.”, deklaroi ministri Selimi.

Me këtë rast, ministri Selimi falënderoi të gjitha bizneset privatet të cilat kanë treguar gatishmëri për të ofruar përkrahje për punësimin e viktimave të dhunës në familje dhe viktimat e dhunës seksuale, pastaj falënderoi për bashkëpunim donatorët nga UN Women si dhe ish- Presidenten, Atifete Jahjaga.

Ndërsa zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Florian Dushi, njëherësh Koordinatori Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, tha se ky Memorandum do të jetë një pikënisje apo ri-integrim për një kategori shumë të ndjeshme të shoqërisë sonë, siç janë viktimat e dhunës në familje dhe viktimat e dhunës seksuale.

“ Kjo është një pikënisje e mirë dhe konsideroj që nuk duhet të jetë e vetmja për të bërë të mundur ri-integrimit, ri-socializmin, rikthimin në normalitet të kategorive të ndryshme të margjinalizuara”, tha zëvendësministri Dushi.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se pavarësia ekonomike është çelësi kryesor për ri-integrimin e grave të dhunës në familje dhe dhunës seksuale ndërsa falënderoi ministrin Selimi për angazhimin e vazhdueshëm në këtë drejtim.

Ndërsa Yllka Metaj nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë tha se sektori privat do të vazhdojë të jenë mbështetës për të gjitha grupet e margjinalizuara në Kosovë.

E drejtoresha e UN Women, zyra në Kosovë, Vlora Tuzi- Nushi, tha se nënshkrimi i këtij Memorandumi është një hap i madh i cili po ndodh për herë të parë në Kosovë falë një bashkëpunimi mes Qeverisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat.