Ministri i Tregtisë urdhëron verifikimin e secilit produkt që tregtohet në Kosovë

0
37

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka urdhëruar Inspektoratin e Tregut të MTI-së që në bashkëpunim me inspektoratet komunale të bëjnë inspektime intensive të tregut në Republikën e Kosovës për të verifikuar çdo dokumentacion të produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por edhe nga vendet tjera, si dhe të bëjnë krahasimin e këtyre dokumenteve me produktet e ekspozuara në tregun tone, përcjell OxygenPress.

Qëllimi i këtij aksioni është që të bëhet verifikimi dhe sekuestrimi i secilit produkt që mund të jetë i kontrabanduar dhe tregtohet në Republikën e Kosovës.

“Unë jam i angazhuar çdo ditë, që MTI të jetë zë i bizneseve, dhe po ashtu të përmirësojmë klimën e biznesit në vendin tonë, po ashtu MTI është e obliguar që të zbatojë ligjin dhe kushtetutën e vendit tonë. Është obligim ligjor dhe kushtetues që të ndalojmë çdo lloj kontrabande, të sekuestrojmë çdo produkt për të cilin nuk dëshmohet prejardhja. Me këto veprime në po mbrojmë qenien e shtetit tonë dhe njëkohësisht konsumatorin rrjedhimisht qytetarin e Kosovës”, tha ministri Shala, njofton MTI.

Sipas ministrit Shala institucionet e vendit tonë do të kenë informacione të sakta për secilin produkt që tregtohen në vendin tonë.

“Prandaj, Inspektorati i Tregut së bashku me inspektoratet komunale janë të obliguara që në bazë të kësaj urdhërese të dërgojnë raporte javore për të gjitha të gjeturat gjatë inspektimeve në tregun e Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ministri iu ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që operojnë në Republikën e Kosovës që të furnizohen me produkte të cilat i kanë kaluar të gjitha procedurat doganore, sanitare dhe fito-sanitare para se të ekspozojnë këto produkte për konsumatorët./OxygenPress.info