Mësoni pse harrohen ëndrrat pas zgjimit

0
346

Shpesh kemi përshtypjen se ëndrra na kujtohet vetëm pjesërisht dhe se natën ajo ishte më e gjatë. Mund të vërehet po ashtu se kujtimi i një ëndrre, ende i gjallë në mëngjes, gjatë ditës do të davaritet, duke lënë vetëm ca mbetje të saj.

Shpesh e dimë që kemi ëndërruar, pa e ditur se çfarë; fakti që ëndrrat mund të harrohen është kaq i njohur për ne, saqë nuk shohim kurrfarë absurditeti në mundësinë që natën të kemi ëndërruar dhe në mëngjes të mos jemi të ndërgjegjshëm për atë çka kemi ëndërruar, apo edhe të vetë faktit që kemi ëndërruar.

Nga ana tjetër, ndodh ndonjëherë që ëndrrat të shfaqin një ngulmim të jashtëzakonshëm në kujtesë. Ja çfarë shkruan Frojdi tek “Interpretimi i ëndrrave”. “Mes pacientëve të mi kam analizuar ëndrra që i kishin parë 25 apo edhe më shumë vjet më parë; edhe unë vetë kujtoj një ëndërr të 37 viteve më parë, që megjithatë më është më e freskët se kurrë në kujtesë. E gjithë kjo është mjaft e çuditshme dhe jo përnjëherë e kuptueshme.

Në radhë të parë, tërë shkaqet që shkaktojnë harrim në jetën e zgjimit, çojnë edhe në harrimin e ëndrrave. Kur jemi zgjuar, harrojmë rregullisht e menjëherë ndijime e perceptime të panumërta, sepse ishin fort të dobëta apo ngaqë eksitimi mendor që i pasonte ishte shumë i lehtë. E njëjta gjë vlen edhe për shumë imazhe onirike; harrohen sepse janë shumë të dobëta, ndërkohë që imazhet më të forta që janë pranë tyre, arrijnë të kujtohen.

Sidoqoftë, faktori intensitet sigurisht që nuk është i mjaftueshëm në vetvete për të përcaktuar kujtimin apo jo të një imazhi onirik. Strümpell – si edhe autorë të tjerë (Calkins, 1893) – e pranon se shpesh harrojmë imazhe onirike që ishin shumë të gjalla, teksa mbajmë në kujtesë një numër të madh imazhesh të turbullta e pa kuptim.

Për më tepër, kur jemi zgjuar, jemi të prirur ta harrojmë me lehtësi një ngjarje që verifikohet vetëm një herë dhe të kujtojmë me më lehtësi atë që mund të perceptohet në mënyrë të përsëritur. Por pjesa më e madhe e imazheve onirike janë përvoja unike; kjo karakteristikë do të kontribuojë paanësisht për të na bërë t’i harrojmë gjithë ëndrrat njësoj.

Por është me rëndësi shumë më të madhe një shkak i tretë harrese. Me qëllim që ndijimet, idetë, mendimet e kështu me radhë, të arrijnë njëfarë niveli ndjeshmërie që të mbahen mend, është thelbësore që të mos mbeten të izoluara, por të shfaqen në grupe apo bashkëlidhje të përshtatshme./Bota/OxygenPress.info