Mësoni për xhaminë në Syriganë të Skënderajt

0
725

Xhamia e Syriganës – Syriganë, Skenderaj Xhamia e Syriganës ndodhet mes lagjeve “Kamberaj” dhe “Kajtazi” që shtrihen përgjatë luginës së lumit Gujafq. Xhamia u ndërtua në vitin 1825 me iniciativën e xhematit të fshatit Syriganë dhe lagjes “Loshaj”. Prona në të cilën është ndërtuar xhamia ka qenë pronë shoqërore, tani është pronar KBI-Skenderaj.

Xhamia gjithnjë ka pasur funksionin e objektit sakral. Gjatë luftës së fundit të vitit 1998/1999 xhamia ka pësuar dëmtime. Ajo është e ndërtuar kryesisht me materiale tradicionale (gurë, dru dhe mbulesa e kulmit me tjegulla të rrafshëta të argjilës së pjekur).

Xhamia është me etazhitet P+0 në enterier me formim të çardakut, i cili është i konstruktuar nga druri, dhe me rrethojë – gardh nga druri, me elemente dekorative. Në mesin e çardakut dominon zgjerimi në formë harkore, i cili përveç efektit funksional ka edhe efekt dekorativ. Në enterier të xhamisë dominojnë elementet konstruktive dhe dekoruese të drurit të pasura me motive gjeometrike.

Muret janë të suvatuara dhe të gëlqerosura me llaç. Kornizat e hapjeve (dyer dhe dritare) janë të punuara nga druri. Deri në kohën e ndërtimit të minares, objekti karakterizohej si mesxhid. Ndërtimi i minares së xhamisë daton pas vitit 1999. Objekti i xhamisë nuk ka pësuar transformime.