Mësoni për njeriun që argumentoi se toka dhe planetët e tjera rrotullohen rreth Diellit

0
201
Engraved portrait of Polish astronomer Nicolas Copernicus (1473 - 1543) drawing the sun as the center of the universe. (Photo by Kean Collection/Getty Images)

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të nëntëmbëdhjetin me radhë e ka Nikolla Koperniku.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XIX Nikolla Koperniku
1473-1543

Astronomi i madh polak, Nikolla Kopernik, u lind në vitin 1473 në Torun, pranë lumit Visla. Ai rridhte nga një familje e pasur. Që kur ishte student në Universitetin e Krakovit, ai tregoi interes për astronominë. Në moshën 25-vjeçare, vajti në Universitetin e Bolonjës dhe të Padrovës në Itali, ku studioi për drejtësi dhe mjekësi. Më vonë, mbrojti doktoraturën për teologji në Universitettin e Ferrarës. Shumë vite pas kësaj u zgjodh anëtar i drejtimit kishtar në katedralen e Fromborkut.Pra, asnjëherë, si profesion nuk ka patur astronominë. Hipotezat e mëdha, që hodhi në fushën e astronomisë, e që e bënë aq të lavdishëm, janë fryt i angazhimeve të tij gjatë kohës së lirë.

Gjatë qëndrimit në Itali, Koperniku u njoh me idenë e filozofit dhe astronomit antik, Aristarh nga Samosi (shek.III p.e.r.,), i pari që kishte thënë se toka dhe planetët e tjera rrotullohen rreth Diellit. Koperniku, i bindur në vërtetësinë e kësaj hipoteze heliocentriste, iu fut punës për ta argumentuar. Dorëshkrimin e këtij studimi ai, kur ishte 40 vjeçar, ua shpërdau miqve. Pas kësaj, vazhdoi përsëri të vëzhgonte, studionte dhe të përllogariste. Rezultatet i përfshiu në veprën e njohur “Për rrumbullakësinë e trupave qiellorë”, ku argumentoi bindshëm dhe në mënyrë të hollësishme hipotezën e tij.

Në vitin 1533, kur ishte 60 vjeç, mbajti disa leksione në Romë ku parashtroi elementet kryesore të kësaj teorie. Por, aty nuk gjeti përkrahjen e Papës. Në moshën 70 vjeç, Koperniku vendosi ta botonte teorinë e tij. Kopja e parë e librit të botuar i ra në dorë më 24 maj të vitit 1543, pikërisht ditën që vdiq.

Në atë libër, ai shpalosi pikëpamjen, se Toka rrotullohet rreth boshtit të vet, se Hëna rrotullohet rreth Tokës dhe se Toka dhe të gjitha planetët e tjera rrotullohen rreth Diellit. Ashtu si pararendësit e tij edhe ai vlerësoi vëllimin e Sistemit Diellor. Ndaj, gabimisht mendonte, se orbitat përbëhen nga epicikle, apo rrathë, qendrat e të cilëve lëvizin në mënyrë të saktë në orbita të tjera. Por, kjo mënyrë e të menduarit, jo vetëm e ndërlikoi matematikisht hipotezën, por e bëri edhe të pasaktë. Pavarësisht nga kjo, libri ngjalli interes të jashtëzakonshëm. Ai u dha shkas astronomëve të tjerë, e sidomos shkencëtarit danez, Tiho Brahe, që të kryenin vëzhgime të reja e më të sakta për lëvizjen e planeteve. Pikërisht,nga të dhënat e Brahes, Johanes Kepler nxori me sukses ligjet e drejta për lëvizjen e planeteve.

Edhe pse Aristarhi nga Samosi e kapi heliocentrizmin shumë kohë përpara Kopernikut, është e qartë, se e tërë merita i takon këtij të dytit. Aristarhu vetëm kishte parashikuar hipotezën e tij, por pa e argumentuar teorikisht e në mënyrë të hollësishme, që të përdorej më vonë gjatë kërkimeve shkencore. Teoria e tij mund të shfrytëzohej vetëm për parashikime, por edhe këto duheshin vërtetuar me vëzhgime astronomike për të kundërshtuar teorinë e vjetër ekzistuese, se Toka ishte qendra e Gjithësisë.

Teoria e Kopernikut e shndërroi rrënjësisht të kuptuarit e gjithësisë si nga filozofët, ashtu dhe nga masat e gjëra të popullit. Në këtë aspekt, teoria e tij bëri një revolucion të madh në shkencë. Kur vlerësojmë rëndësinë e Kopernikut, duhet patur parasysh se astronomia nuk gjen atë zbatim praktik që gjen për shembull fizika, kimia apo biologjia. Kuptohet, se në parim, njeriu edhe pa njohur teorinë e Kopernikut, mund të konstruktojë televizorin, automobilin apo ndonjë fabrikë kimike. Por këtë, ai nuk mund ta kryej pa njohur idetë dhe arritjet e Faradeit, Maksvellit, Lavuazjesë dhe Njutonit.

Derisa ne vlerësojmë ndikimin e drejtpërdrejtë të Kopernikut në teknikë, do të viheshim në pozita të vështira sikur te mos shihnim rëndësinë e vërtetë të tij : Libri i Kopernikut përmban një parathënie me rëndësi të jashtëzakonshme që na shtyn drejt veprës së Galileit dhe të Keplerit, që janë pararendësit më të shquar të Njutonit. Falë, zbulimeve të tyre, Njutoni mundi të formulonte ligjet e lëvizjes dhe të gravitetit. Parë në aspektin historik, libri i Kopernikut “Për rrumbullakësinë e trupave qiellorë”është pikënisja e astronomisë bashkëkohore dhe ajo që është më kryesorja, është edhe pikënisja e shkencës bashkëkohore.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.
Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Antuan Lavuazje.