Mësoni për jetën e Fatime Sokolit

0
2036

Fatime Sokoli u lind më 18 qershor 1948, në Dragobi të Tropojës. Ajo u bë vajza e parë e Malësisë që e mori për herë të parë çiftelinë në dorë dhe hyri me guxim në odën e burrave, e veshur si burrë dhe këndoi si burrë.

Për afro 30 vjetësh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malësie e në skenat e disa vendeve të Europës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës.

Ajo u shfaq si krijuese, instrumentiste e interpretuese virtuoze dhe origjinale, me zë të veçantë bjeshkor të shoqëruar me muzikalitet.

Fatime Sokoli nuk ishte vetëm një nga këngëtaret më të shquara, dhe një pasuri e traditës sonë të vyer të folkut. Ajo ishte shumë më shumë, ishte gruaja e parë që dëshmoi, së pari në malësi dhe kudo gjetkë, ku gruaja mbahej nën zgjedhë, se nuk ishte vetëm për të lindur, rritur dhe edukuar, fëmijë, për punët e shtëpisë dhe për t’iu nënshtruar pushtetit të burrit, ajo ishte për më shumë, ishte edhe për të sfiduar kohën dhe skenën.

Ajo ishte dhe mbeti një zë i jashtëzakonshëm, një interpretuese dhe instrumentiste që do të mbetet në fondit e artë të traditës sonë të shkëlqyer të folklorit.

Kontributi i saj i shquar e ka shpërblyer atë me titullin “Artiste e Merituar”.

Këndoi ajo dhe u laureua në festivale brenda dhe jashtë vendit; këndoi ajo për Bac Bajramin, Mic Sokolin, Emin Durakun, Haxhi Zekën e Tom Kolën. Në fonotekën e Radio Televizionit Shqiptar, ruhen shumë këngë të saj, por ato kanë mbetur në gojë të popullit, duke përjetësuar kujtimin e këngëtares ndër shekuj.

Fatime Sokoli ka mbetur në kujtesën e njerëzve si një dëshmi e gjallë e përpjekjeve dhe arritjeve të një gruaje, edhe atje ku pushteti i ligjësive zakonore i kishte privuar asaj të ishte diçka tjetër.

“Bilbili i Tropojës”, Fatime Sokoli u shua më 12 gusht të vitit 1987 në një moshë të re.

Ajo s’i kishte mbushur të dyzetat, por la pas këngët e saj të pavdekshme, zërin e saj të papërsëritshëm, la mesazhet patriotike, mesazhet për jetën dhe punën, për njeriun dhe dashurinë.