Mësoni për gjendjen në Prizren, pas vërshimeve

0
128

Nga Mytaher Haskuka, kryetar i Prizrenit

Pas të reshurave që vazhduan gjithë javën, dje në orët e pasdites

Komuna e Prizrenit

është njoftuar nga banorët e zonave të prekura për vërshime në pjesë të ndryshme të territorit të Komunës së Prizrenit.

Sipas raportit të Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri, zonat më të prekura kanë qenë në Piranë, Zojz, Krajk, Bregdri dhe Romajë ku uji ka vërshuar disa podrume të shtëpive dhe fermave të bagëtive.
Në Lubizhdë të Prizrenit ujit ka dalë mbi shtratin e vet dhe ka rrezikuar disa fabrika që gjenden përreth magjistrales Prizren – Suharek, në këtë pjesë drejtoria ka intervenuar me kompaninë e kontraktuara dhe ka parandaluar vërshimet dhe dëmet e mundshme në shumë biznese.
Përkundër punës së Drejtorisë së Shërbimeve Publike që në muajt e fundit kanë punuar në hapjen e pusetave dhe mirëmbajtjen e rrjeteve të kanalizimit, dje është vërejtur që rrjeti I kanalizimit atmosferik ka qenë I pamjaftueshëm dhe në lagjet Bazhdarhane, Jeta e Re dhe Bajram Curr ka pasur bllokime të rrjetit të kanalizimeve, dhe në këto lagje është intervenuar përmes kompanive Hidroregjioni Jugor, Eko Regjoni, dhe brigadën e Zjarrfikësve të Prizrenit si dhe kompanitë private të kontraktuara nga komuna. Me këto intervenime në një pjesë të këtyre lokacione janë zhbllokuar kanalizimet dhe është siguruar qarkullim I lirë I ujit.
Gjatë ditës së sotshme ekipet e Zjarrfikëseve, Hidroregjoni dhe kompanitë janë në teren, në disa lokacione duke bërë sanimin e gjendjes si pasojë e dëmtimeve të mbrëmshme, në: Romajë, Tusuz, Piranë, dhe Zojz.
Nga analizat e mëparshme të vërshimeve ekspertët kanë potencuar problemin e ndërtimeve në rrjedha të lumenjve, gjersa në luginën e Drinit të Bardhë një problem shtesë paraqesin edhe operatorët që eskavojnë zall nga shtrati I lumit.
Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë punëtorët e komunës dhe të kompanive si dhe zjarrfikësit e komunës sonë për punën e palodhshme gjatë këtyre ditëve. Me shpresë që mos të kemi të lënduar dhe viktima si dhe me sa më pak dëme materiale!
Tanimë këto vërshime që janë duke ndodhë disa herë në vit janë duke vërtetuar që efektet e ndryshimeve klimatike tanimë janë realitet dhe duhet të punojmë në afatgjatë për tu përgatitur në aspektin infrastrukturor dhe zhvillimor. Komuna e Prizrenit është komuna e parë që në bashkëpunim me UNDP është duke implementuar strategjinë për ndryshimet klimatike me shumë aktivitete të cilat do të vazhdojnë me Zyrën për Zhvillim të Gjelbër.
Në këtë aspekt duhet të theksohet se përkundër reshjeve të mëdha dhe ngritjes së nivelit të lumit Lumbardh nuk ka pasur bartje të materieve inerte dhe të drunjëve të cilat kanë mundur të shkaktojnë bllokime tek urat e qytetit, ngase në 3 vitet e fundit rregullisht kemi bërë pastrimin e luginës së Lumbardhit në rreth 20 kilometra të rrjedhës.