Mësoni për Festën e Spërkatjes me Ujë

0
104

Festa e Spërkatjes me Ujë e kombësisë dai të Kinës nuk është tjetër veçse viti i ri i kësaj kombësie, që jeton kryesisht në Xishuangbanna të provincës Yunnan në jugperëndim të Kinës.

Yunnan-i është provinca më e larmishme në Kinë për sa u përket kombësive. Nga 56 kombësitë e Kinës, rreth gjysma e tyre jetojnë në këtë provincë. Një prej tyre është edhe kombësia dai, pjesëtarët e së cilës banojnë kryesisht në Xishuangbanna, në jug të provincës Yunnan, pranë kufirit me Laosin dhe Mianmarin, por edhe pranë Vietnamit e Tajlandës. Kështu Xishuangbanna mund të quhet edhe si një urë kulturore mes Kinës dhe vendeve të Azisë Juglindore dhe kur ndodhesh aty të duket edhe sikur ndodhesh në ndonjë prej këtyre vendeve.

Festa e Spërkatjes me Ujë e kombësisë dai thirret edhe si “karnavalet e Lindjes”. Ajo ka një histori shtatëqindvjeçare.

Festa kremtohet në kryeqendrën e prefekturës Xishuangbanna, qytetin Jinghong, dhe fshatrat përreth. Kjo është festa më e rëndësishme e kësaj kombësie. Për pjesëtarët e kombësisë dai, uji është një simbol i shenjtërisë, mirësisë dhe pastërtisë. Vetëm uji mund të ndihmojë çdo gjë në tokë të rritet, kështu që uji është zot i jetës.

Festa e Spërkatjes me Ujë bie në mes të prillit sipas kalendarit ndërkombëtar dhe zgjat tre ditë. Për vizitorët veprimtaritë gjatë dy ditëve të para janë të përqendruara pranë lumit Mekong.

Në ditën e parë njerëzit duke kënduar, duke vallëzuar dhe duke u rënë daulleve, drejtohen në brigjet e Mekongut për ceremoninë madhështore të nisjes së festës. Një grup murgjish budistë udhëheqin turmën me lutje dhe bekime, para se të hidhen fishekzjarre artizanale të bëra me bambu, që krijojnë një det ngjyrash, dhe që simbolizojnë largimin e së keqes. Më tej pason gara me varkat e dragoit, provë e forcës dhe e qëndrueshmërisë.

Në ditën e dytë vizitorët marrin pjesë në një paradë të madhe, ku kombësitë e ndryshme paraqitën kostumet e tyre shumëngjyrëshe, nën tingujt e këngëve e të valleve të tyre të jashtëzakonshme. Ishte me plot gojën diçka që mund të quhet një gosti për syrin dhe për veshin.

Pasdite në parkun “Manting” të qytetit, ka shfaqje të ndryshme muzikore dhe vizitorët shijojnë edhe gatimet e shijshme vendore. Në mbrëmje një shëtitje në brigjet e lumit natyror Mekong. Që atje ngrihen ata që quhen fenerë fluturues e që simbolizojnë urimet për fat të mirë. Pamja e tyre është diçka që të mbetet e pashlyeshme në mendje për një kohë të gjatë. Po ashtu, shumë barka të vogla me qirinj lëshohen në lumë. Nuk mungojnë edhe këtu fishekzjarret. Është një festival dritash e ngjyrash.

Dita e tretë e vizitës është kulmi i festës. Ndonëse quhet Festa e Spërkatjes me Ujë, fare mirë mund të quhet edhe Festa e Bërjes Qull me Ujë.

Por në të vërtetë dita nis me ritualin e spërkatjes së shtatores së Budës. Pjesëtarët e kombësisë dai, të veshur me rrobat e tyre më të mira, drejtohen nëpër tempujt, ku organizohen ceremoni nderimi ndaj Budës. Njerëzit luten për mot të mirë dhe begati. Pastaj merret shtatorja e Budës dhe spërkatet me ujë, në një rit që quhet “Larja e Budës”.

Përfundimi i ritit të “Larjes së Budës” shërben si sinjal që edhe njerëzit e zakonshëm mund të nisin spërkatjen e njëri-tjetrit me ujë. Dhe kështu nis ajo që mund të quhet lufta më e madhe me ujë në Tokë.

Sa më shumë të lagesh, aq më shumë fat, lumturi dhe mbarësi do të kesh në vitin e ri.

Pjesëtarët e kombësisë dai ftojnë edhe njerëz nga pakicat e tjera dhe turistë vendës e të huaj që vijnë nga larg për të festuar. Skena e spërkatjes dhe e lagies me ujë është me të vërtetë e hareshme.

Kudo, në rrugë, sheshe e parqe, sheh njerëz “të armatosur” me kova me ujë ose me “armë” plastike që hedhin ujë, për të lagur njëri-tjetrin dhe për të uruar fat dhe një vit të lumtur të ri.

Gjithkush është në shënjestër dhe askush nuk mund t’i shpëtojë lagies, madje as punonjësit e rendit. Por sigurisht, “viktimat” më të parapëlqyera janë vajzat e bukura dhe pa dyshim, edhe të huajt.

Për fat temperatura në kohën e Festës së Spërkatjes është diku në kufirin mes së ngrohtës e nxehtësisë dhe uji në trup është shumë i dëshiruar dhe freskues. Për më tepër që besohet se, sa më shumë të lagesh, aq më shumë i bekuar do të jesh në vitin e ri, prandaj vizitorët presin një vit të ri të mbarë e të begatë, deri në prillin e ardhshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu