Mësoni për disleksinë, çrregullimi i të mësuarit

0
162

Nga Rudina Hysiqi, logopede

Disleksia është një çrregullim i të mësuarit që përfshin vështirësi në të lexuar për shkak të problemeve të identifikimit te shkronjave. Gjithashtu e quajtur ndryshe aftësi e kufizuar e leximit, disleksia prek zonat e trurit që përpunojnë gjuhën, pra ka bazë neurologjike. Predispozitat qe të trashëgohet janë 65% deri në 71%.

Fëmijët ose të rriturit me disleksi kanë inteligjencë normale dhe zakonisht kanë shikim normal. Kryesisht, fëmijët disleksik kanë problem me shkronjat që nga ana vizive kanë karakteristika të përafërta, siç mund të jenë shkronjat e vogla ‘p’ me ‘q’, ‘b’ me ‘d’, ‘t’ me ‘f’. ‘m’ me ‘n’, etj.

Kur fëmijët disleksik fillojnë shkollën, kryesisht në klasë të parë, kur edhe vendosen përballë me shkronjat, evidentohen problemet e para. Pra, një pjesë të shkronjave të alfabetit nuk i njohin, ose nuk i perceptojnë ndryshimet mes njëra-tjetrës. Kjo bën që këta fëmijë të kenë gjithmonë rezultate të ulëta në procesin arsimor, e së këndejmi të paragjykohen si fëmijë problematik ose shpesh herë edhe si dembelë.

Shumica e fëmijëve me disleksi mund të kenë sukses në shkollë me ndonjë asistent ose një terapi logopedike. Mbështetja emocionale gjithashtu luan një rol të rëndësishëm. Vlerësimi dhe ndërhyrja e hershme rezultojnë në rezultatin më të mirë. Ndonjëherë disleksia mbetet e padiagnostikuar për vite me radhë dhe nuk njihet deri në moshën e rritur, por kurrë nuk është vonë për të kërkuar ndihmë. Nëse fëmija juaj ka disleksi jini mbështetës, flisni me fëmijën tuaj, merrni hapa për ta ndihmuar fëmijën tuaj të mësojë në shtëpi, kufizoni kohën e ekranit, qëndroni në kontakt me mësuesit e fëmijës suaj, anëtarësohuni në një grup mbështetës.

Shenjat që tregojnë disleksinë tek fëmijët para shkollës përfshijnë:

• Vonesë e të folurit,
• Mësojnë ngadalë fjalë të reja,
• Probleme të formimit të saktë të fjalëve, të tilla si kthimi i tingujve në fjalë ose konfuzion të fjalëve që tingëllojnë ngjajshëm,
• Probleme në kujtesë ose emërtim të shkronjave, numrave dhe ngjyrave,
• Fëmija mund të mos jetë në gjendje të mbajë mend përmbajtjen qoftë edhe të një loje, libri a filmi të preferuar,
• Vështirësi për të mësuar rima në çerdhe ose për të luajtur lojëra me rimë,
• Kopjim i vështirësuar nga tabela ose një libër,
• Vështirësi me të mësuarit e shkrimit, leximit dhe germëzimit,
• Probleme me marrëdhëniet hapësinore, që vërehen kryesisht në parqe lojërash,
• Vështirësi në koordinim, gjatë lojërave sportive ose lojërave të organizuara,
• Vështirësi me të majtën dhe të djathtën, shpesh dominimi për ndonjërën anë nuk është i vendosur.
Gabimet e mundshme te fëmijëve disleksik gjatë të lexuarit:
• Kalon nga një rresht në tjetrin.
• Ndërrim të rrokjeve, psh: TALOVINA në vend të TAVOLINA.
• Shtojnë ose përsërisin një shkronjë/ rrokje, psh: BU-BUKA, TOOPI, GO- GOTA.
• Vështirësi në të lexuar, shpesh ndodh që kapërcejnë fjalën që kanë vështirësi ta lexojnë.