Mësoni gjithçka për armët kimike

0
796

Armët kimike janë ato armë që kanë në përbërje të tyre disa komponentë kimikë që janë agjentë toksik dhe kanë si qëllim vrasjen, plagosjen ose të bëjnë të paaftë armikun. Në betejat moderne, armët kimike janë përdorur për herë të parë në Luftën e Parë Botërore (1914 – 1918) gjatë të cilës betejat kimike shkaktuan më shumë se një milion raste luftëtarësh që vuanin prej tyre në atë konflikt dhe sipas përllogaritjeve u vranë 90,000 vetë. Që nga atëherë e deri më tani armët kimike janë përdorur shpesh herë, si në rastin e luftës Iran-Irak (1980 – 1988).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, gjatë dekadave të tyre të konfrontimit në Luftën e Ftohtë (1945- 1991) ndërtuan një rezervë jashtëzakonisht të madhe me armë kimike, por në fund të luftës ish kundërshtarët ranë dakort që të ndalonin prodhimin e të gjitha llojeve të armëve kimike që kanë qenë zhvilluar gjatë Luftës së Parë Botërore (gjenerata e parë), Luftës së Dytë Botërore (gjenerata e dytë) dhe Luftës së Ftohtë (gjenerata e tretë).

Ashtu si armët bërthamore dhe armët biologjike edhe armët kimike janë cilësuar shpesh si armë të shkatërrimit në masë. Nën Konventën për Armët Kimike (KAK, në origjinal Chemical Weapons Convention: CWC) të vitit 1993, u ndalua përdorimi i armëve kimike në luftë po ashtu edhe zhvillimi, prodhimi, përvetësimi, mbajtja rezervë dhe transferimi i këtyre armëve.

Megjithëse qëllimi i KAK-së (CWC) ishte eliminimi i plotë i shumicës së tipeve të armëve kimike, jo të gjitha shtetet e kanë braktisur kapacitetin për beteja kimike.

• Tipet e armëve kimike.

Armët kimike janë agjentë kimikë, në gjendje të lëngët, të gaztë apo të ngurtë që përdoren për shkak të efekteve direkte toksike te njerëzit, kafshët apo bimët. Ato shkaktojnë dëme kur thithen, absorbohen nëpërmjet lëkurës, ose kur tretën në ushqime apo pije. Agjentët kimikë bëhen armë kur ato vendosen në predha artilerie, mina tokësore, bombat ajrore, në raketa, predhat vdekjeprurëse, granata, tanket spërkatëse ose çdo lloj mjeti tjetër, nëpërmjet të cilit mund të tejçohen këto agjentë te shënjestra e caktuar.

Jo të gjitha substancat helmuese janë të përshtatshme për ndërtimin e armëve kimike. Ekzistojnë mijëra komponime të tilla, por vetëm një pjesë e vogël janë përdorur si agjentë kimik në beteja që nga viti 1900. Komponimet më të “dobishme” duhet të jenë shumë toksike, por jo shumë të vështira për t’u trajtuar. Për më tepër, kimikatet duhet të jenë të afta të durojnë nxehtësinë e zhvilluar kur janë vendosur në një predhë djegëse, bombë, minë apo raketë. Së fundmi, ato duhet të jenë rezistente ndaj ujit dhe oksigjenit në atmosferë në mënyrë që të jenë efektive kur shpërndahen.

• Agjentët kimikë.

Që nga Lufta e Parë Botërore janë zhvilluar disa lloje agjentësh kimikë që përdoren në armë. Këto përfshijnë: agjentët mbytës (që shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje), agjentët blistër (që shkaktojnë djegie të lëkurës ose të indeve të tjera), agjentët e gjakut, agjentët nervor, paaftësuesit (agjentë që shkaktojnë ç’orientim, paralizim etj), agjentët për kontrollin e trazirave (si psh, gazi lotsjellës ose që shkaktojnë të vjella) si dhe herbicidet.

• Veçoritë e armëve kimike.

Armët kimike mund të kategorizohen sipas karakteristikave të tyre fizike të tilla si, vdekshmëria, vazhdimësia, mënyra e veprimit në trupin njerëzor dhe gjendja fizike.

Disa agjentë kimikë shkaktojnë një vdekshmëri të lartë. Për shembull agjentët nervorë si sarini, tabuni, somani dhe VX mund të vrasin pothuajse menjëherë; vetëm pak pika po të absorbohen nëpërmjet lëkurës mund të paralizojnë dhe të shkaktojnë vdekjen në disa minuta. Ndërsa nga ana tjetër, agjentët e tillë si gazi lotsjellës veprojnë vetëm si irritantë ose si paaftësues dhe nuk kanë gjasë të shkaktojnë vdekjen, vetëm nëse përdoren në sasi të mëdha.

Agjentët kimikë gjithashtu variojnë për sa i takon niveleve të vazhdueshmërisë. Disa avullojnë në pak minuta ose orë dhe e humbasin shpejt efektin e tyre. Për shembull, gazi sarin që ka vdekshmëri të lartë është një agjent nervor që nuk reziston gjatë. Në të kundërt, VX mund të qëndrojë për ditë ose javë në formë vdekjeprurëse.

Disa gaze helmuese si, klori dhe cianidi i hidrogjenit, hyjnë në mushkëritë e viktimës nëpërmjet frymëmarrjes. Nga ana tjetër, pikat e agjentëve nervor mund të futën nëpërmjet lëkurës brenda rrjedhës së gjakut dhe sistemit nervor. Ka edhe kimikate të tjera që mund të përzihen me ushqimin ose pijen.

• Mbrojtja ndaj armëve kimike.

Krahas zhvillimit të armëve kimike, që nga Lufta e Parë Botërore është parë e nevojshme edhe zhvillimi i mjeteve dhe metodave mbrojtëse ndaj tyre. Këto përfshijnë maskat e gazit, veshjet mbrojtëse, automjetet luftarake, strehat e lëzivshme apo të fiksuara. Gjithashtu janë zhvilluar edhe dedektorë që arrijnë të kapin nivelin e agjentëve kimik dhe zonat e kontaminuara, dhoma dekontaminimi, mjekime të duhura dhe ekipe të trajnuar etj.

Për më shumë informacion klikoni këtu: https://www.britannica.com/…/Defense-against-chemical-weapo…