Shtogu është një nga bimët më të lashta të kësaj toke. Emri shkencor i shtogut që përdoret gjërësisht për motive mjekësore është Sambucus nigra.
Recetat mjekësore me bazë shtogu janë zbuluar që në kohët e Egjiptit të lashtë, por shumë historianë kanë rënë në gjurmët e aftësive shëruese të shtogut që në kohën e Hipokratit, Babait të Mjekësisë.
Sipas Hipokratit, shtogu ishte një thesar i mirëfilltë falë aftësive për të shëruar një sërë problemesh mjekësore.
Të gjitha qytetërimet e lashta kanë pasur të drejtë për përdorimet e shtogut si një prej barishteve më të fuqishme kundër virozave.
Vlerat shëndetësore të shtogut përfshijnë: shërimin e të ftohtit, virozave, sinozitit, dhimbjeve nervore, inflamacionit, lodhjes kronike, alergjive dhe konstipacionit.
Nëse shtogu përdoret brenda 48 orëve të para të simptomave, atëherë ekstrakti i tij arrin të shkurtojë ndjeshëm kohëzgjatjen e gripit. Por nuk mbaron me kaq.
Nëse flasim për fuqinë e antioksidantëve që përmban shtogu, atëherë duhet të dini se kjo bimë përmban më shumë flavonoidë se boronicat, manat goxhi, boronicat e kuqe dhe manaferrat.
Lufton të ftohtin dhe gripin
Shtogu forcon sistemin imunitar në mënyrë natyrale. Kokrrat e tij përmbajnë substanca kimike të quajtura anthocianidinë të cilat kanë efekte stimuluese të sistemit imunitar.
Ekstrakti i shtogut është i sigurt në përdorim, efikas dhe një alternativë e lirë për të gjitha trajtimet e simptomave të gripit dhe të ftohtit.
Kundër infeksioneve në sinuse
Shtogu ka vlera të pakundërshtueshme kundër inflamacionit falë përmbajtjes së madhe të antioksidantëve.
Infeksionet e sinusit shkaktohen nga inflamacioni i mukozës së rrugëve të frymëmarrjes.
Kjo bimë që lufton virozat është premtuese si një kurë natyrale kundër këtyre infeksioneve.
Ul sheqernat në gjak
Lulja dhe kokrrat e shtogut janë përdorur tradicionalisht kundër diabetit.
Studimet kanë konfirmuar se ekstraktet e shtogut stimulojnë metabolizmin e glukozës dhe sekretimin e insulinës, duke ulur kështu nivelet e sheqerit në gjak.
Diuretik natyral
Shtogu promovon lëvizjet e zorrëve dhe urinimin. Studimet kanë treguar se shtogu ose varieteti Sambucus ka një rol natyral diuretik, që do të thotë se stimulon urinimin.
Mjekët rekomandojnë përdorimin e substancave diuretike kur organizmi ruan shumë lëngje. Një problem i tillë vërehet më shumë tek të rriturit dhe të moshuarit.
Mban lëkurën të shëndetshme
Shtogu ka arritur të bëhet pjesë e industrisë së kozmetikës për shumë arsye. Bioflavonoidët dhe antioksidantët së bashku me vitaminën A, e bëjnë atë të jashtëzakonshëm për shëndetin e lëkurës.
Studiuesit janë të mendimit që shumë prej përbërësve të shtogut ndihmojnë lëkurën të qëndrojë e shëndetshme.
Lehtëson alergjitë
Lulet e bimës së shtogut janë pjesë e kurave natyrale bimore kundër alergjive.
Duke qenë se alergjitë e stërmundojnë sistemin imunitar dhe shkaktojnë inflamacione të ndryshme, shtogu kundërpërgjigjet duke e forcuar sistemin imunitar dhe qetësuar inflamacionin, rrjedhimisht duke lehtësuar alergjitë.
Kur bëhet fjalë për të ftohtin, virozat dhe problemet e tjera me frymëmarrjen, duhet të përdorni shurupin e shtogut.
Në treg mund të gjeni marka cilësore të këtij shurupi, ose mund ta përgatisni vetë atë në kushtet e shtëpisë.
AW ju sugjeron recetën e mëposhtme:
Shurup shtogu i bërë në shtëpi!
Përbërësit:
- 3 gota e gjysmë me ujë të ftohtë
- 2 gota me kokrra të thata shtogu
- 1 lugë gjelle me xhenxhefil organik të freskët ose të thatë
- 1 lugë çaji me kanellë pluhur ose 1 shkop kanelle
- 1 filxhan me mjaltë cilësor
Udhëzimet:
- Hidhni ujin në një tenxhere. Shtoni kanellën, kokrrat e shtogut dhe xhenxhefilin.
- Lëreni lëngun të ziejë.
- Ulni zjarrin dhe mbajeni tenxheren të mbuluar ndërsa lëngu zien për 40-45 minuta deri sa sasia e lëngut të përgjysmohet.
- Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe shtypini kokrrat.
- Përdorni një napë të pastër ose kullesë dhe lëngun hidheni në një enë qelqi. Nëse përdorni napën, mos hezitoni ta shtrydhni atë që të përftoni lëngun e mbetur.
- Shtoni mjaltë dhe përziejeni deri sa të jetë tretur.
- Shurupin hidheni në një shishe ose enë qelqi të sterilizuar.
Çaji i shtogut është një tjetër alternativë e sugjeruar për përdorim. Ju mund të blini çaj me bustinë ose të blini kokrrat dhe lulet e thata duke e përgatitur çajin vetë.
Mjafton një lugë me kokrra ose lule të thata dhe një filxhan me ujë. Nëse nuk ju pëlqejnë çajrat e ngrohtë, atëherë përdorni lëngun e shtogut, që është i ëmbël dhe freskues.