Mësojeni si u zbulua letra nga njeriu i shtatë më i rëndësishëm në histori

0
1854

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të shtatin me radhë e ka Çaj Lunin.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit 

Nr VII

Çaj Luni

         Rreth vitit 105

Emri i Çaj Lunit, zbuluesit të letrës, në të vërtetë është i panjohur për shumicën e lexuesve. Po të merret parasysh rëndësia e zbulimit të tij, është për të ardhur keq që ai është shpërfillur kaq shumë në Perëndim.

Në mjaft enciklopedi të mëdha të botës nuk shkruhet asnjë fjalë për të ,madje edhe në librat shkollorë për historinë ai përmendet rrallë. Për shkak të rëndësisë së padiskutueshme të letrës, ky informacion i pamjaftueshëm që japim mund të zgjojë dyshimin se ndoshta Çaj Luni është figurë fetare e krijuar. Por, studimet e vëmendshme tregojnë se Çaj Luni ka ekzistuar.

Ai ka qenë përfaqësues nderi në oborrin e Perandorisë Kineze. Rreth vitit 105 ai ia paraqiti mostrat e punimit të tij Perandorit Xo Ti. Dokumentet kineze për këtë zbulim (ato janë ruajtur në arkivat zyrtare të Dinastisë Hanë) janë të qarta dhe të sigurta. Në to nuk ka asnjë shenjë për ndonjë gjë magjike apo gojëdhënë.

Kinezët gjithnjë e kanë njohur zbulimin e Çaj Lunit dhe emri i tij është shumë i njohur për ta. Për jetën e Çaj Lunit nuk dihet shumë. Në traktatet kineze thuhet se ka qenë eunuk. Gjithashtu, është nënvizuar se perandori ka qenë mjaft i kënaqur nga ky zbulim, gjë që ndikoi në lartësimin e figurës së Çaj Lunit: ai ishte pasuruar dhe kishte fituar titull të lartë. Por më vonë, ai u ngatërrua në një intrigë të oborrit. Pas kësaj, filloi rënia, e tij morale. Në traktatet kineze thuhet se kur u turpërua, Çaj Luni u la, u vesh me rrobat më të mira dhe piu helm.

Për një periudhë prej dy shekujsh, letra kishte gjetur një përdorim shumë të gjerë në Kinë. Pas disa qindra vjetësh kinezët e përhapën edhe në vende të tjera të Azisë, por mënyrën e prodhimit të saj e ruajtën sekret edhe për një kohë shumë të gjatë. Megjithatë, në vitin 751,prodhues kinezë të letrës të zënë rob nga arabët, filluan ta prodhojnë atë në Samarkandë dhe Bagdad.

Kështu, përvoja për prodhimin e letrës filloi të përhapej edhe në botën arabe, ndërsa në shekullin XII, nëpërmjet arabëve u përvetësua edhe nga evropianët. Përdorimi i letrës mori përmasa të gjera dhe, pas zbulimit të shtypshkronjës së Gutenbergut, letra në Perëndim zëvendësoi pergamenën si materiali kryesor për të shkruar.

Sot, letra është një gjë kaq e zakonshme, sa e kemi të vështirë të themi se si do të dukej bota pa të. Para Çaj Lunit, shumica e librave në Kinë shkruheshin në pllaka bambuje. S’ka dyshim, që ato ishin jashtëzakonisht të rënda dhe aspak praktike. Disa libra janë shkruar në mëndafsh, por kushtonin aq shtrenjtë, sa ishte e pamundur të gjenin përdorim të gjerë.

Në Perëndim, para zbulimit të letrës, shumica e librave shkruheshin në pergamenë ose në velenxa, që ishin një përpunim i veçantë i lëkurës së deles ose të viçit. Atë material, më vonë e zëvendësoi papirusi, i parapëlqyer nga grekët, romakët, egjiptianët.

Megjithatë, edhe pergamena, edhe papirusi gjendeshin me vështirësi dhe përpunimi i tyre kushtonte shtrenjtë. Librat dhe materialet e tjera të shtypura tani prodhohen me një kosto më të lirë dhe në sasi të mëdha dhe kjo në një masë të madhe i dedikohet ekzistencës së letrës.

Sigurisht, letra sot nuk do të kishte rëndësi të madhe në qoftë se nuk do të ekzistonte shtypshkronja. Por, është e vërtetë edhe se shtypshkronja nuk do të zbulohej po të mos kishte material të lirë  dhe me shumicë me anën e të cilit të mund të botoheshin librat.

Në këtë rast, cila nga këto dy figura duhet të qëndrojë më lartë, Çaj Luni apo Gutenbergu? Edhe pse pothuajse njësoj e çmojmë rëndësinë e të dyve, Çaj Lunin e kam vënë para Gutenbergut për këto arsye:

1.Krahas materialit për të shkruar, letra ka rëndësi shumë të madhe edhe për përdorime të tjera. Faktikisht, me zbulimin e saj, krijohen mundësi të ndryshme për përdorimin e saj për qëllime, që nuk kanë asnjë lidhje me botimin e librave.

2.Çaj Luni jetoi para Gutenbergut dhe del pyetja, a do të zbulohej shtypshkronja për botim librash nëse nuk do të ekzistonte letra?

3.Në qoftë se ekzistonte vetëm njeri nga këto dy zbulime, atëherë librat do të prodhoheshin më shumë me anë të ksilografisë(gravurë e stampuar në dru),e njohur  kjo shumë kohë përpara Gutenbergut dhe letrës, se me shkronjat e lëvizshme apo me pergamenë.

A është e radhës që edhe Gutenbergu, edhe Çaj Luni të përfshihen midis dhjetë personaliteteve më të shquara, që kanë jetuar në kohëra të ndryshme ? Që të kuptojmë rëndësinë e plotë  të zbulimeve të letrës dhe të shtypshkronjës, duhet vlerësuar zhvillimi i kulturave përkatëse në Kinë dhe në Perëndim.

Përpara shekullit II, qytetërimi kinez ishte shumë më i prapambetur se ai i Perëndimit. Në dhjetë shekujt e mëvonshëm kinezët i arritën dhe i kaluan perëndimorët dhe gjatë shtatë-tetë shekujve, në përqindje më të madhe, qytetërimi i tyre ishte më i përparuari në botë.

Por, gjatë shekullit XV Evropa Perëndimore e kaloi Kinën. Për këto ndryshime ka argumente nga më të ndryshmet, por sipas meje, shumica e argumenteve lenë pas më të thjeshtën, letrën.

Dihet se bujqësia dhe të shkruarit janë zhvilluar më parë në Lindjen e Afërt se në Kinë. Por vetëm kjo nuk e sqaron faktin se përse qytetërimi kinez mbeti kaq prapa perëndimit. Faktor vendimtar, sipas mendjes sime, është fakti që para Çaj Lunit kinezët nuk zotëronin materialin kryesor për të shkruar.

Bota perëndimore kishte papirusin dhe pavarësisht nga pamjaftueshmëria e tij, mbizotëroi më shumë se librat që bëheshin me dru, ose me pllaka bambuje. Mungesa e një materiali të përshtatshëm për të shkruar ishte pengesë e madhe për përparimin e kulturës në Kinë. Shkencëtarit kinez i duhej patjetër një karrocë plot për të mbartur një numër shumë të vogël librash. Kuptohet lehtë se në çfarë situate ndodhej drejtimi i administratës shtetërore.

Megjithatë, zbulimi i letrës e ndryshoi në mënyrë të plotë qytetërimin kinez.

Ai përparoi shpejt dhe vetëm për disa shekuj u barazua me atë perëndimor (kuptohet përçarjet politike në Evropë kanë rëndësinë e vet).Në shekullin IV Kina nuk ishte më përpara se Perëndimi,por ajo u zhvillua shumë shpejt në fushën e kulturës. Në shekujt e mëvonshëm kur përparimi i Perëndimit ishte relativisht i vonuar, Kina mund të krenohej me zbulimin e kompasit, barutit dhe të ksilografisë.

Letra, veç të tjerash, ishte më e lirë se pergamena dhe prodhohej në sasi më të mëdha. Peshorja anoi në dobi të Kinës.

Kur vendet perëndimore filluan të përdorin letrën, atëherë ato mund ta mbanin hapin me Kinën. Veç kësaj, arritën ta pakësojnë prapambetjen kulturore. Por,dokumentet e shkruara të Marko Polos forcojnë bindjen se  Kina deri në shekullin XIII ishte shumë më përpara se Evropa. Atëherë, përse Kina ka mbetur prapa Perëndimit?

Për këtë parashtrohen hipoteza të ndryshme kulturore, por mund të jetë e mjaftueshme vetëm një sqarim i thjeshtë teknik: në shekullin XV,një gjeni evropian, që quhej Johan Gutenberg, përpunoi teknologjinë për prodhimin masiv të librave. Që atëherë e këtej kultura evropiane përparoi me hapa shumë të shpejta. Kina, duke mos e patur Gutenbergun, për botimin e librave ishte e kënaqur me ksilografinë dhe kultura e saj zhvillohej relativisht ngadalë. Duke u nisur nga kjo analizë, nuk mund të mos arrijmë në përfundimin se Çaj Luni lartësohet mbi të tjerët edhe për këto shkaqe: shumica e zbulimeve janë fryt i kohës së vet. Ato do të zbuloheshin edhe po të mos ekzistonte shpikësi i tyre. Por, rasti i zbulimit të letrës është krejt ndryshe. Evropianët filluan ta prodhonin atë 1000 vjet pas Çaj Lunit. Edhe më i dukshëm është fakti se pasi e patën në dorë letrën kineze, shtetet e tjera aziatike nuk arritën ta prodhonin dot vetë.

Zbulimi i rëndësisë së prodhimit të saj ishte aq i vështirë, sa që nuk mund të arrihej në një vend me zhvillim mesatar kulturor, por ishin të domosdoshme përpjekjet e ndonjë figure shumë të talentuar për të mundësuar  arritjen e saj.

Dhe kjo figurë ishte Çaj Luni. Metoda që ai përdori, në qoftë se nuk merret parasysh mekanizimi i viteve 1800,mbetet e njëjtë me atë të ditëve të sotme.

Këto janë arsyet që Gutenbergun dhe Çaj Lunin i ve midis dhjetë personaliteteve të para në libër, dhe përsëri Çaj Luni është më përpara.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjell edhe personazhet e tjera, i teti me radhë Johan Gutenberg