Merkel refuzon ftesën e Trump për pjesëmarrje në samitin e G7-s

Kancelarja gjermane, Angela Merkel refuzoi pjesëmarrjen në samitin e G7-s në SHBA në muajin qershor, ashtu si propozoi presidenti amerikan, Donald Trump, për shkak të pandemisë së koronavirusit, deklaroi zëdhënësi i kancelares gjermane, Steffen Seibert për faqen Politico.

“Në këtë ditë, duke marrë parasysh situatën e përgjithshme të pandemisë, ajo nuk mund të pranojë një pjesmarrje, një udhëtim në Uashington”, deklaroi për një media amerikane në internet, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.

“Kancelarja gjermane falenderon presidentin Trump për ftesën e tij në samitin e G7-s”, shtoi ai.

Merkel, një shkencëtare me profesion, është e para drejtuese e G7-s (Japoni, Kanada, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Itali) që refuzon zyrtarisht këtë ftesë.

Mosha e Merkel, 65 vjeçe, sa mosha edhe e kryeministrit japonez, Shinzo Abe, shfaq një rrezik më të lartë se mesatarja në raport me epideminë e COVID-19.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë me më shumë se 100 000 të vdekur dhe 1,7 milionë raste kontaminimi.