Mediat si injektuese të standardeve të bukurisë

0
101

Nga Ëndronida Shala

Gjoks i rrafshët, bel i gjatë dhe i ngushtë, flokë të shkurtra dhe të errëta të njohura në stilin “Bob”, dukja “si djalë”. Kjo ka qenë pamja ideale e një gruaje në vitin 1920. Gratë e kësaj periudhe mbanin sytjena me të cilat e rrafshonin sa më shumë gjoksin e tyre dhe vishnin rroba të cilat i bënin të dukeshin më pak “të mbushura”. Faqet e gazetave dhe revistave ishin të mbushura me gratë që kishin pamje të tilla. Ato lanë pas flokët e tyre të gjata, standardin i cili tregonte nëse një grua ishte e bukur apo jo, dhe i prenë flokët aq shkurt sa që ky u bë standardi i ri për të qenë “e bukur” apo për të qenë në trend.

Me kalimin e kohës, pas Luftës së Dytë Botërore, ndryshoi edhe pamja ideale për gruan e “Epokës së Artë të Hollywood-it” (1930-1950). Nëse në të ‘20-at duhej të kishe gjoks dhe vithe të rrafshta, në të ‘50-at kjo nuk ishte e nevojshme. Me shfaqjen e filmave të Hollywood-it, trupi i mbushur me gjoks dhe vithe të gjera, si dhe një bel i ngushtë, u bë standardi i ri i bukurisë, ku ikona e kësaj pamje ishte ylli Marilyn Monroe.

Standardet e bukurisë për gratë kanë pësuar mutacion përgjatë dekadave. Pra, ato asnjëherë nuk zhduken; vetëm ndryshojnë formë – duhet të jesh bionde, duhet të jesh e gjatë, duhet të jesh e hollë, duhet të kesh flokë të gjatë dhe voluminoze, duhet të kesh floke të shkurtër, duhet të jesh brune, duhet të jesh zeshkane, duhet të jesh e mbushur, duhet të jesh e hollë por me fytyrë të mbushur, duhet, duhet, duhet… Duhet patjetër të ekzistojë një standard për bukurinë që gruaja të jetë e pranueshme për shoqërinë.

Megjithatë ne mund të fajësojmë shoqërinë për krijimin e këtyre standardeve, por mediat luajnë një rol të rëndësishëm në impononimin e standardeve të tilla te audienca ose më mirë të themi se publiku i merr “idetë” përmes tyre.

Instagrami – “shiringa hipodermike” e bukurisë

Studiuesi amerikan i shkencave politike, mediave dhe komunikimit, Harold Lasswell, e shpiku shprehjen “shiringë hipodermike” apo që njihet ndryshe si efekti i stimulit. Kjo teori shpjegon se si mediat masive “injektojnë” mendjet e lexuesve/shikuesve/dëgjuesve për ta arriturr një qëllim apo efekt të caktuar.

Por cili është efekti që ka injektuar Instagrami?

Instagrami, sikur “shiringa hipodermike”, po “injekton” pamjet ideale të grave. Realisht, fjala “ideale” nuk vlen më; në Instagram, fjala “perfekte” është trendi i 2020-tës. Mutacioni që kanë pësuar standardet e bukurisë përmes rrjetit social Instagram janë më dinamike, nuk zgjasin më me dekada. Nëse para një viti duhej të dukeshe si Gigi Hadid (e gjatë dhe e hollë), sot duhet të dukesh si Kim Kardashian (e shkurtër dhe e mbushur).

Jeta për gratë të cilat duan t’i përshtaten këtyre rregullave të imponuara është bërë më e ashpër. Dëshira për të arritur një pamje perfekte nuk ka qenë kurrë më e madhe. Një studim ka treguar se 1 në 3 gra ndihen nën presionin për të paraqitur një jetë sa më perfekte në rrjete sociale. Ndërsa sipas një sondazhi të një shoqate bamirësie thuhet se 35% e vajzave të moshës 11-21 vjeç, shqetësimin e tyre më të madh e kanë krahasimin e vetes me të tjerët.

Raporte të shumta tregojnë se Instagrami ndikon negativisht në shëndetin mendor të një përdoruesi për shkak të presioneve të perfeksionizmit dhe përçimit të një ndjenjeje dështimi. Instagrami thotë se ka më shumë se 1 miliard përdorues aktivë mujorë dhe më shumë se 500 milion përdorues aktivë të story-ve ditore. Për këtë arsye, Instagrami ka njoftuar se do t’i eliminojë llajkat dhe filterat që imponojnë ndërhyrjet estetike në fytyrë me anë të operacioneve plastike, pasi kjo portretizon një standard joreal të bukurisë.

E shëmtuara e të qenit nën presionin e të bukurës

Elonë Beqiraj, për tash e pesë vite, është aktiviste kundër definimit të standardeve të bukurisë si dhe krijuese e kampanjës “Redefining beauty”, përmes të cilës lufton kundër mediave, rrjeteve sociale e reklamave të cilat ushqejnë standarde të bukurisë, në veçanti atyre mediave që i paraqesin aknet e fytyrës si diçka të papranueshme. Ajo ka rrëfyer për “Grazetën” historinë e saj lidhur me paragjykimet në të cilat ka hasur për aknet në fytyrën e saj.

Elona thotë se paragjykimet kanë shkuar aq larg sa që në vend se njerëzit ta pyesnin për ndonjë gjë tjetër fillimisht ia kanë komentuar aknet e fytyrës.

“Kur ndodhesha në autobus njerëzit para se me m’pyet ‘si je, a je mirë?’ më kanë thënë ‘çka paska ndodhë me fytyrën tënde kështu?!’ Tepër ishe kon e bukur mos me i pasë këto puçrra!”, tregon Elona.

Sipas Elonës, e cila tashmë jeton në Gjermani, paragjykimet e tilla janë të shfaqura më shumë në Kosovë, madje thotë se presioni për të qenë “e bukur” është më i madh në Kosovë sesa në të gjitha vendet e tjera të Evropës.

Mirëpo, ajo thekson se një pjesë të fajit për forcimin e këtyre standardeve e kanë edhe mediat e për t’i thyer këto stereotipe ajo ka vazhduar të postojë foto në rrjetet sociale dhe nuk ka vendosur makeup në fytyrën e saj për t’i mbuluar aknet.

“Kur ja kanë nisë aknet me m’u shfaq në fytyrë, unë, në vend se me fshehë për mos me postu foto, unë kam postu foto sikur gjithmonë që kam postu. Pra, nuk kam ndryshu asgjë në sjelljen time, me vetveten dhe me Instagramin e mediat sociale, por kam vazhdu me bo selfie dhe kam postu sikur krejt tjerët. Pastaj dikur ja kanë nis njerëzit me m’shkru, për shkak se selfie-t kanë qenë plot puçrra, duke më përgëzu për kurajon dhe guximin per me paraqit veten në foto ashtu si jam”, ka thënë Elona për “Grazetën”.

Pavarësimi duke iu “përshtatur rregullave”

Megjithatë, sipas aktivistes së të drejtave të gruas, Adelina Tërshanit, imponimi i standardeve të bukurisë përmes mediave në disa raste po del të ketë edhe efekte pozitive për gratë të cilat po iu përshtaten këtyre standardeve.

Tërshani thotë për “Grazetën” se disa prej grave kanë arritur që përmes Instagramit të pavarësohen nga burrat, të cilët në të shumtën e rasteve janë drejtues të bizneseve të ndryshme.

“Produktet mediale po i forcojnë standardet e bukurisë për gratë. Sidoqoftë, gratë në Kosovë sulmohen edhe kur i përmbushin këto standarde, por edhe kur nuk i përmbushin ato. Për shembull, ‘modelet e instagramit’ gjithnjë sulmohen se po i përmbushin standardet e bukurisë dhe kjo vetëm sepse ato më nuk punojnë për burrat. Kompanitë e modës, të cilat shumicën e herave janë në pronësi të burrave, tashmë nuk përfitojnë nga këto vajza sepse ato përmes profileve të veta në Instagram po e promovojnë punën e tyre dhe po e drejtojnë vetë biznesin”, tha Tërshani për “Grazetën”.

Duke u bazuar në praktikat e mëhershme, standardet e bukurisë do të vazhdojnë të mbeten në lëvizje – duke ndryshuar formë, por në esencë duke mbetur të njëjta. Mediat të cilat ndihmojnë në imponimin e imazheve të tilla në paraqitjet mediatike të grave mund të shfrytëzojnë po të njëjtën mënyrë të komunikimit për vetëdijesimin e përdoruresve të këtyre rrjeteve dhe thyerjen e paragjykimeve të mbjellura ndër vite./grazeta