“Më të palara i ka fjalët se të brendshmet, më të pista i ka ndjenjat se duart”

0
433

Nga Arbër Selmani

Kam vendosur që më në fund ta bëj gjumin siç duhet.
E kam vendosur burrin në shitje
nuk flas me të
sytë nuk na puthen
duart refuzojnë të preken
fotelja e tij dhe e imja nuk janë shoqe
macja ime e urren macen e tij
u lodha sa i pangishëm është ky njeri.
Burri im është në shitje.
fjalët ‘tenxhere’, ‘fshisë e rrymës’ dhe ‘të dua’, nuk i njeh
nuk i flet
nuk ia mësuan
as prindërit e as mësuesit,
as profetët, luciferët, as engjëjt e as hoxhallarët.
Më përpara futem në zjarrin e shporetit
se të vazhdoj me të.
Dua të ndahem.
Lahemi në dy banjo të ndryshme
dhomën e ditës, me barrikadë në mes
e kemi ndarë gati në dhjetë pjesë.
Fëmijët e mi i urrejnë fëmijët e tij.
Burri im është për shitje
pash hatrin e Zotit, veç merreni, pa pritje.
17 palë çorape
45 tipe të këmishave
3 shishe të rakisë së dardhës
gojën të jargitur me sharje e ofendime
ksanaks çdo 12 orë
me migrenë qysh prej natës së parë që patëm seks,
burrë me mungesë të vitaminës D.
Merreni,
ose hedhjani Diellit.
Unë kam ambicie, kam andrra
dhe ja, pa mendu, burrin e kam vendosë në shitje.
Ai di shkrim e lexim, nuk di gëzim,
kurrë në jetë nuk ka hekurosur
asnjëherë nuk ka blerë as miell, as sheqer, as vaj.
Pos vajit që ma dha.
Në dy ballkone, jetojmë të ndarë
ai shqetësohet ditën, unë natën
ai e ha mëngjesin kur unë e përfundoj darkën
edhe tepsitë tona janë të ndara.
Mes britmave, kërkon të bëjmë fëmijë
unë tjerë fëmijë me të jo, jo për këtë jetë.
Oborrin e gjelbër e kemi shndërruar në dy zyre me xhama,
unë e urrej nënën e tij, ai e urren nënën time.
Burri im është në shitje,
është trupmadh, hiç fitimtar
nuk na goditen as idetë, as grushtat,
as fetë
ai në lutjet e tij, unë në lutjet e mia kundër tij.
Më të palara i ka fjalët se të brendshmet.
Më të pista i ka ndjenjat se duart.
Kam vendosur që më në fund ta bëj gjumin siç duhet.
E kam vendosur burrin në shitje
as’ 2020