“Më ranë ndërmend dhe dhjetëra punë të tjera që kryen nëna gjatë ditës, edhe çdo grua tjetër”

0
89

Nga Liridon Kurti

U sëmur Nëna.
Ka dy ditë që është sëmurë nëna. U sëmur më shumë dhe më gjatë se zakonisht. Sot nuk mund të ngrihej fare nga shtrati.
Isha mësuar që ajo të më zgjonte, sot nuk më zgjoi. U zgjova. Mendova se kishte shkuar diku. Jo. Nëna qenka sëmurë. Vah! Si t’ia bëj tani? Nëna çdo ditë më zgjonte, derisa unë bëja banjo, ajo ma rregullonte shtratin, ma bënte një kafe dhe përgatiste mëngjesin. Detyra ime e vetme ishte të ulesha në karrigen mbretërore dhe të zgjedhja nga ushqimet që ajo servonte. Ndonjëherë me mërrola në ballë nuk e pëlqeja asnjë nga 5 ushqimet që ajo përgatiste për mua. Ajo më shikonte me butësi e dashuri dhe ngadalë më buzëqeshte: “A t’i bëj dy feta bukë me mjaltë?” E dinte se kjo ishte menyja ime më e pëlqyer.
Nejse! Sot u zgjova vetë, rregullova shtratin, shkova për të blerë bukën, erdha e fillova të përgatis diçka, e rregullova tavolinën, e shtrova mëngjesin, hëngrëm bashkë me nënën, pastaj u ngrita dhe fillova t’i laj enët. “Vaa, sa punë e mërzitshme!”. E fshieva kuzhinën, dhomën time, dhomën e nënës, sallonin, korridorin, fshieva pluhurat mbi tavolina dhe erdha te puna që nuk e bëja dot – ta pastroja banjon! Duhej ta pastroja! Nuk më pyeste kush! Vura maskën, dorezat, veshje speciale…sikur mjek ligjor! E kisha bezdi. Neveritesha! Shumë madje. “Si çdo djalë tjetër”. Por u desh ta bëja. E pastrova edhe atë. I fshieva këpucët dhe u bëra gati për të dalë. Vetëm këto punë m’i morrën rreth 2 orë e gjysmë.
Duke ecur rrugës më ranë ndërmend dhe dhjetëra punë të tjera që kryen nëna gjatë ditës. Edhe çdo grua tjetër. Përgatitja e drekës, larja e çarçafëve, larja e rrobave, përgatitja e darkës, çajit, kafeve… e tri pika tjera që kurrë s’përfundojnë. Thashë me vete: “Sa punën e kryejnë nënat, motrat e gratë çdo ditë. Madje durojnë dhe të gjitha idiotësitë tona, britmat e ofendimet, trajtimin si shërbëtore nga ana jonë…O Zot! Vetëm dikush mund të durojë aq shumë – gruaja! Sepse ajo është në gjendje të sakrifikojë edhe jetën e saj për njerëzit që i do!”
Bazuar në ngjarje të vërtetë