“Me 22 vite burg për Tisic, Gjykata vrau Krushën e Madhe dhe të Vogël për së dyti herë pas 21 viteve”

0
178

Drejtoresha e Kooperativës bujqësore ‘Krusha’, Fahrije Hoti, njëra ndër gratë të cilat ende e preokupon fati i të pagjeturve, e ka quajtur zhgënjim dënimin e shqiptuar sot nga Gjykata Themelore e Prizrenit ndaj kriminelit serb, Darko Tisic, për krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.

Me këtë vendim të Gjykatës sipas Hotit banorët e Krushës së Madhe dhe asaj të Vogël janë vrarë për së dyti herë pas 21 viteve.

Kështu ka thënë ajo në një prononcim për Gazetën Metro, pas vendimit të marrë në lidhje me dënimin e Tisic, i cili u burgos sot për 22 vite, lidhur me krimet e kryera ndaj shoqërisë civile shqiptare gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

“Ky kriminel, Darko Tasic ka marrë pjesë në krimet e të dyja Krushave, ku ka bërë vrasjet dhe bartjet e trupave te civilëve shqiptar të cilët i ka hudh në Dri, prandaj ne jemi tejet të zhgënjyer me dënimin e shqiptuar. Gjykata e Prizrenit apo gjyqtari konkret e ka vra Krushën e Madhe dhe Krushën e Vogël për së dyti herë pas 21 viteve”, ka thënë ajo.

Hoti tutje duke treguar për numrin e viktimave që u vranë dhe u masakruan nga forcat policore dhe paraushtarake serbe në Kosovë, e që mbi 200 persona u vranë në Krushë të Madhe dhe mbi 100 të tjerë në Krushën e Vogël, thotë se dënimi i pritur nga familjarët e këtyre viktimave ishte dënimi i merituar me vdekje, gjë që nuk u bë sot.

Hoti, familjarët e së cilës ende nuk iu dihet fati i tyre që nga lufta, thotë se përveç këtij dënimi, qytetarët sot u zhgënjyen edhe nga institucionet tona, pasi që familjarët u keqtrajtuan, madje policia përdori edhe gazlotsjellës ndaj tyre derisa prisnin vendimin e sotëm të Gjykatës.

“Përveç këtij dënimi, edhe familjarët tanë janë keqtrajtuar prej punonjësve tanë, që sot unë personalisht kam qenë aty, ajo që ka ndodhur ndaj familjarëve, pra me situatën sot në Prizren, turpi i turpit për shtetin e Kosovës dhe për Policinë e Kosovës”.

“Unë personalisht jam e prekur, në atë vendin ku janë gjuajtur kufomat, ka qenë edhe burri im, sot është i zhdukur, pra unë jam e prekur personalisht, por sot nuk po di a me u idhnu në shkjaun apo në policinë tonë dhe në institucionet tona që sot kanë bërë sot ndaj fëmijëve të njerëzve të vrarë me gaz lotsjellës e me shtyerje”, ka përfunduar Hoti për Metron.

Për dënimin e kriminelit serb, Darko Tasic, i nga Gjykata Themelore në Prizren, prej 22 vitesh burgim, ka reaguar edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së, Hysni Gucati, i cili tha se ky dënim ndaj Tasicit është shumë i vogël në krahasim me krimet mizore që ka kryer ky i fundit ndaj shqiptarëve.