Më 21 janar 1950 u nda nga jeta George Orwell, autor i kryeveprave “1984” dhe “Ferma e kafshëve”

0
168

George Orwell (shqiptimi: Xhorxh Oruell), kishte lindur me emrin Erik Artur Bler (angl. Eric Arthur Blair), lindi me 25 qershor 1903 në Indi në fshatin Motihari afër kufirit me Nepalin dhe vdiq me 21 janar 1950 ne Londer , ishte shkrimtar dhe gazetar anglez.

Mbase s’ka mbetur kush pa dëgjuar për autorin e kryeveprave “1984”, apo “Ferma e Kafshëve”, ndërsa pyetjes se ku është i lindur George Orwell pakkush e di përgjigjen e saktë. Orwell u lind në Motihari, në Indi. Atje ende qëndron shtëpia e tij e lindjes – e braktisur dhe gati e shkatërruar.

Babai i George Orwell – ndryshe i Eric Arthur Blair, sepse George Orwell ishte vetëm pseudonim i tij artistik, ishte një zyrtar i administratës koloniale britanike në Indi. Ishte i vendosur në Motihari, në krahinën indiane Bihar, një vend ky afër kufirit me Nepalin, për shkak se punë e tij ishte mbikëqyrja e tregtisë me opium. Eric u lind në vitin 1903, megjithëse nuk jetoi gjatë në Motihari, sepse vetëm një vit më vonë familja e tij u kthye në Angli.

Megjithatë, atje ende ekziston shtëpia e tij e shkrimtarit të njohur botëror, e cila është në gjendje të mjerueshme. Shtëpisë njëkatëshe i është rrënuar pullazi, në oborrin e saj kullotin lopët e askujt, e disa familje kanë “uzurpuar” pronën në të cilën qeveria indiane planifikonte të hapte një zonë përkujtimore kushtuar shkrimtarit britanik – të lindur si indian. Atje duhej të themelohej një bibliotekë dhe një park përkujtimor, në të cilin do të mbaheshin manifestime kulturore. Por, vitet kalojnë pa ndodhur asgjë.

Debapriy Mukherjee është një ndërmarrës nga Motihari.

Ai s’mundi më të rrinte duarkryq dhe të shikonte shkatërrimin e shtëpisë ku u lind Orwell. Inicioi një web-faqe, me qëllim të detyrimit të shërbimeve përgjegjëse indiane që – më në fund – ta rinovojnë shtëpinë. Për vetëm dhjetë ditë web-faqja u ‘bombardua’ nga porositë dhe deklaratat mbështetëse. Mukherjee e ka të qartë se krahina Bihar është ndër më të varfrat në Indi, por ndërkohë i janë lajmëruar shumë klube letrare dhe filantropë, që kanë premtuar ndihmë. Por, para së gjithash, Mukherjee pret që organet përgjegjëse indiane të përmbushin premtimin e dhënë kaherë. “Para shumë viteve qeveria premtoi se do të rinovojë shtëpinë, dhe se gjithë zonën përreth ta shndërrojë në një trashëgimi kulturore, ku do të vinin vizitorë nga e gjithë bota. Ekzistonte edhe ideja që të hapej një muze dhe të ngritej një përmendore. Por, tërë kjo doli të ishte vetëm një premtim bosh”, anohet indiani 56-vjeçar.

Mirëpo, një mbështetje kaq e madhe nga bota dhe nga shoqata lokale jep shpresë se më në fund diçka do të mund të ndodhë. Në këtë beson edhe mësuesi lokal, Raj Thakur.

“Ndihmë kanë ofruar mbi njëmijë njerëz, vetëm nga Motihari. Kësaj radhe do ta nisim aksionin dhe do t’i lëvizim gjërat”, thotë ai.

I pyetur nga Deutsche Welle, zyrtari indian nga Ministria për Art e Kulturë, pohon se, e dinë “që shtëpia e Orwell nuk mirëmbahet si duhet, por ajo nuk do të harrohet gjatë. Kemi plane të mëdha, të cilat dëshirojmë t’i realizojmë. Punët do të nisin së shpejti”, sqaron ai.

Pavarësisht këtij pohimi, në terren nuk vërehet asnjë lëvizje. Prateek Guha, nga Shoqata Kombëtare për Art e Trashëgimi Kulturore, tregon se, megjithë respektin për George Orwell, India po e neglizhon kujtimin edhe ndaj krijuesve të saj.

“Nuk është këtu fjala vetëm për shtëpinë e Orwell. Shikoni shtëpitë e artistëve tanë të njohur, apo zonat e mbrojtura kulturore. Gjithçka është lënë pas dore, dhe nuk po ndërmirret asnjë rinovim. Askujt s’i intereson kjo punë”, shprehet Guha.

Sido që të jetë, aksioni i Debapriy Mukherjee ka bërë jehonë të madhe edhe në botë, kështu që mund të ndodhë që së shpejti të fillohet me rinovimin e shtëpisë së lindjes së George Orwell. Por duhet pranuar se shtëpia e lindjes e George Orwell, ku ai jetoi vetëm një vit, nuk është as i vetmi objekt, e as e vetmja ngjarje e rëndësishme në Motihari. Është pikërisht kjo krahina ku Mahatma Gandi i pa kushtet e tmerrshme në të cilat jetonin kultivuesit indianë të indigos, dhe prej nga ai nisi kryengritjen e tij paqësore kundër pushtetit kolonial britanik, e cila rezultoi me pavarësimin e Indisë.

Jeta

Xhorxh Oruelli lindi në vitin 1903 në Motihari, në Bengal të Indisë. Emri i tij i vërtetë ishte Eric Arthur Blair. I ati, Richard Walmesley Blair, shërbente si civil për qeverinë britanike. Në vitin 1904, Oruelli u transferua bashkë me nënën dhe motrën e tij në Angli, ku mbeti deri në vitin 1922. Filloi të shkruante në një moshë të re e madje botonte edhe në periodikët e kolegjit, por atij nuk i pëlqente shkolla. Oruelli shkroi për eksperiencat e tij të papëlqyeshme në shkollën parapërgatitore, në esenë “Such were the Joys” (1968).
Oruelli nuk fitoi ndonjë të drejtë studimi dhe, meqë nuk kishte mundësi për të vazhduar arsimimin e tij, shkoi në Bruma dhe shërbeu në administratën e Policisë Perandorake Indiane nga viti 1922 deri në vitin 1927, kur ai dha dorëheqjen, pjesërisht për shkak të mospëlqimeve të tij në rritje për imperializmin britanik, një mospëlqim që e shprehu me fjalë në esetë e tij “Shooting an Elephant” (1950) dhe “A Hanging” (1931).

Kur Oruelli u kthye në Evropë ishte në një gjendje të mjerë ekonomike dhe bëri punë që paguheshin shumë pak, në Francë dhe Angli. Më në fund, në vitin 1928, ai vendosi të bëhej shkrimtar profesionist. Duke filluar nga viti 1930, Oruelli u bë një kontribues i rregullt për “New Adelphi”, dhe në vitin 1933 ai mori emrin “George Orwell”, me të cilin ai do të bëhej i famshëm. Për romanin e tij të parë ai përdori si frymëzim eksperiencat e fundit me varfërinë dhe shkroi “Down and Out in Paris and London” (1933). Ndërsa jepte mësim në një shkollë private, ai botoi veprën e tij të dytë të rëndësishme “Burmese Days” (1934). Dy vjet më vonë ai u martua me Eileen O’Shaugnessy.
Gjatë viteve ’30, Oruelli kishte adaptuar pikëpamjet e një socialisti dhe udhëtoi për në Spanjë, për të raportuar mbi luftën e tyre civile. Ai mori anën e militantëve të Partisë Marksiste të Punëtorëve të Bashkuar dhe luftoi përkrah tyre. Ishte kjo luftë që e bëri atë ta urrente komunizmin dhe të favorizonte socializmin anglez. Oruelli shkroi një libër mbi Spanjën, “Homage to Catalonia”, që u botua në vitin 1938.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Oruelli shërbeu si oficer në Gardën Rezervë dhe gjithashtu punoi si gazetar për BBC-në, Observer-in dhe Tribune-n, ku ishte redaktor letrar nga viti 1943 deri në vitin 1945. Aty nga fundi i luftës ai shkroi “Fermën e Kafshëve”, dhe kur lufta mbaroi ai shkoi në Skoci.

Ishte “Ferma e Kafshëve” që e bëri më në fund të suksesshëm Oruellin. Suksesi tjetër i tij mbarëbotëror ishte “Nineteen Eighty-Four”, për të cilin Oruelli tha se ishte shkruar “për të ndryshuar mendimin e të tjerëve mbi llojin e shoqërisë për të cilën ata duhet të luftojnë.” Fatkeqësisht Oruelli nuk jetoi aq gjatë për të shikuar sa i suksesshëm do të bëhej, sepse ai vdiq nga tuberkulozi, në Londër, më 21 janar të vitit 1950.