Mbretëresha e këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha feston sot 86 vjetorin

0
185

Zëri i “Bilbilit të Kosovës”, Nexhmije Pagarushës ka kumbuar fuqishëm përgjatë dekadave të tëra, duke mbajtur gjallë dashurinë për kulturën dhe të bukurën.

Idhull i të gjithë brezave të Kosovës nga viti 1948 e deri më sot me zërin e saj mbresëlënës, mbush sot 86 vjeç.

Nexhmije Pagarusha, legjenda e gjallë e këngës shqiptare, u lind më 7 maj të vitit 1933 në Pagarushë, ku ndoqi shkollën fillore, ndërsa shkollimin e vijoi për 3 vjet në Beograd, në shkollën e muzikës për solo kanto.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, por pati karrierë të suksesshme edhe si aktore, si në film ashtu edhe në teatër.

Angazhimin e parë profesionist e pati në Radio Prishtina, ku në vitin 1948 u pranua si soliste. Paraqitjen e parë skenike e pati në Beograd, ndërsa karrierën muzikore e përfundoi me një koncert në Sarajevë në vitin 1984.

Në vitin 2017, Nexhmije Pagarusha erdhi me një bashkëpunim me këngëtaren Yllka Kuqi, me një këngë tepër të veçantë dedikuar nënave.

Muzikën popullore shqipe e përhapi në shumë vende të botës, ku interpretoi me ansamblin “Shota”.