“Mbipeshë, por të shëndetshëm” është një mit për shëndetin e zemrës

0
62

Efektet negative të yndyrës së tepërt të trupit te shëndeti i zemrës nuk mund të zhduken duke mbajtur një stil aktiv jetese, sipas një studimi të ri.

Studimet e mëparshme kanë sugjeruar se të qenit të aktiv fizikisht mund të lehtësonte efektet negative të mbipeshës në shëndetin e zemrës, por nuk është ky rasti, sipas një studimi të ri në European Journal of Preventive Cardiology, një revistë e Shoqatës Europiane të Kardiologjisë (ESC).

Kjo ishte analiza e parë mbarëkombëtare për të treguar se të qenit aktiv rregullisht nuk ka të ngjarë të eleminojë efektet e dëmshme shëndetësore të yndyrës së tepërt të trupit”, tha për CNN autori i studimit Alejandro Lucia, një profesor i fiziologjisë së ushtrimeve në Universitetin Europian të Madridit. “Gjetjet tona hedhin poshtë idenë se një mënyrë jetese fizikisht aktive mund të eleminojë plotësisht efektet e dëmshme të mbipeshës dhe obezitetit.”

Studiuesit përdorën të dhëna nga 527,662 të rritur në Spanjë me një moshë mesatare 42 vjeç. Ata u vendosën në grupe sipas nivelit të aktivitetit dhe sipas peshës trupore: 42% e pjesëmarrësve ishin me peshë normale, me një indeks të masës trupore (BMI) prej 20-24,9; 41% ishin mbipeshë, BMI 25-29.9; dhe 18% ishin obezë, BMI 30 ose më lart.

Pastaj studiuesit panë shëndetin e tyre kardiovaskular duke i kategorizuar sipas diabetit, kolesterolit të lartë dhe presionit të lartë të gjakut, të gjithë faktorë kryesorë të rrezikut për goditje në tru dhe atak në zemër.

Pas hulumtimit për lidhjet midis BMI, nivelit të aktivitetit dhe faktorëve të rrezikut, studiuesit arritën në përfundimin se ka rrezik më të madh kardiovaskular për njerëzit mbipeshë dhe obezë në krahasim me ata me një peshë normale, pavarësisht se sa ushtrime kanë bërë.

“Ndërsa polemikat në lidhje me kontributin e saktë të peshës kundrejt ushtrimeve në shëndetin kardiovaskular me gjasë do të vazhdojnë, për të ruajtur shëndetin dhe për të minimizuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, njerëzit duhet t’u kushtojnë vëmendje të dyjave: mbajtjen e një peshe të shëndetshme dhe të qenit aktiv fizikisht”, tha Dr. Anthony Rosenzweig, shefi i sektorit të kardiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts në Boston dhe një profesor i mjekësisë në Harvard Medical School.

Në fillim të dhjetorit, OBSH publikoi listën me sëmundjet më vdekjeprurëse gjatë 2019-2020, ku sëmundjet e zemrës kanë mbetur shkaku kryesor i vdekjeve në nivelin global për 20 vitet e fundit, por tani ky grup-sëmundjesh po vret më shumë njerëz se kurrë më parë. Sëmundjet e zemrës janë grup-sëmundjet më vdekjeprurëse përfshirë këtu edhe vendin tonë.

Burimi: CNN, Anabel