Mbi 38 mijë veteranë marrin pensione aktualisht

0
43

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për tremujorin e parë (TM1) të vitit 2019.

Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpaguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur etj.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 24 995 familje me gjithsej 102 035 anëtarë; dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 217 familje.

Ndërkaq, nga skemat pensionale: skema e pensioneve bazë të moshës ka 127 104 përfitues; skema e pensioneve kontributpaguese të moshës ka 45 759 përfitues; skema për pensionet familjare ka 4 026 përfitues; skema për pensionet invalidore ka 103 përfitues; skema për pensionet e Trepçës ka 2 865 përfitues; skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës ka 1 059 përfitues; skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka 534 përfitues; skema e kompensimeve për personat e verbër ka 1 916 përfitues; skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara ka 16 681 përfitues; skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik ka 3 047 përfitues. 

Kurse, nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 445 përfitues dhe nga skema për veteranët e luftës janë 38 094 përfitues.

Në TM1 2019 ishin 3 (tre) fëmijë të braktisur.