Mbaje të pastër Kosovën, kontribuo edhe ti

0
840

Sot, 15 shtator ka filluar aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”.

Gjithandej vendit, mijëra vullnetarë, zyrtarë të lartë e deri edhe fëmijët janë angazhuar të pastrojnë vendin.

Aksioni zgjatë tre muaj dhe ka për qëllim krijimin e një ambienti sa më të mirë për qytetarët.

Institucionet bëjnë thirrje që të gjithë t’i bashkohen aksionit, ndërkohë edhe të mbajmë të pastër në vazhdimësi.

Në Kosovë ka dhjetëra deponi të mbeturinave të rrezikshme, ndërkohë nuk janë të klasifikuara askund.

Sipas vlerësimit të fundit, për deponitë ilegale të mbeturinave në Kosovë, 44 për qind e mbeturinave janë mbeturina nga amvisëria, ndërsa qyteti me më së shumti deponi ilegale është Prizreni.

Ky vlerësim është bërë gjatë muajve maj dhe qershor të vitit 2017 nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, në bashkëpunim me zyrtarët, respektivisht inspektorët komunalë, me mbështetjen e Organizatës Gjermane për Shoqëri të Hapur – GIZ.

Nga 1,572 deponi ilegale që janë identifikuar, sipas vlerësimit, 45% janë deponi të mëdha, 36% janë deponi të mesme, ndërsa 17% janë deponi të vogla.

Sipas llojit të mbeturinave, 44% përbëhen nga mbeturinat e amvisërisë, 47% janë mbeturina të ndërtimit dhe demolimit, 2% janë mbeturina të rrezikshme, 5% janë mbeturina të vëllimshme dhe 2% janë mbeturina të tjera.

Ndërsa, sipas të dhënave të mbledhura, rajoni i Pejës e ka numrin më të vogël të deponive ilegale (49), ndërsa rajoni i Prizrenit e ka numrin më të madh të deponive ilegale në Kosovë (498)./Oxygenpress.info

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu